Site icon Telegrafi

‘Zoti më tha ta ndalja ndeshjen, Ai më shpëtoi’ – gjyqtari që ndali ndeshjen Tunizi-Mali thotë se do të vdiste nëse vazhdonte takimi

(Foto: Screenshot/Twitter/Daily Mail)

Gjyqtari, i cili i e ndali para kohe ndeshjen ndërmjet Tunizisë dhe Malit në Kupën e Kombeve të Afrikës, ka thënë se ka mundur të vdiste nga sulmi në zemër nëse ndeshja do të vazhdonte më shumë.

Janny Sikazwe nga Zambia nxiti kundërthënie kur e ndërpreu pesë minuta para kohe sfidën e fazës grupore më 12 janar dhe pastaj u detyrua ta rifillonte për ta ndërprerë sërish 13 sekonda para përfundimit të kohës së rregullt.

Tunizia përpiqej ta barazonte rezultatin (1-0) në Limbe Stadium të Kamerunit, kur gjyqtari e ndali lojën për të dytën herë dhe shkaktoi reagimin e stafit nga banka rezervë që hynë në fushë për ta kundërshtuar atë.

(Foto: Screenshot/Twitter)

Megjithatë, Sikazwe beson se vendimi i tij i gabuar për ta ndërprerë lojën para kohe, në fakt ishte një bekim nga Zoti.

Lexo po ashtu Çudia vjen nga Kupa e Kombeve të Afrikës, gjyqtari përfundon ndeshjen para kohe duke krijuar kaos

“Kam parë njerëz duke shkuar për detyra jashtë vendit dhe janë kthyer me arkivol. Unë isha shumë pranë që të kthehesha ashtu”.

(Foto: Screenshot/Twitter)

“Isha me fat që nuk rashë në koma. Atëherë do të ishte diçka tjetër. Mjekët më thanë se trupi im nuk ftohej. Më mjaftonte shumë pak kohë që të bija në koma dhe atëherë do të ishte fundi”.

“Mendoj se Zoti më tha ta përfundoja ndeshjen. Ai më shpëtoi”, ka thënë gjyqtari pas kthimit në Zambia.

Ai ka pohuar se klima ekstreme, ku janë zhvilluar disa ndeshje në temperatura mbi 30°C, shpjegon reagimin e pazakontë të tij atë ditë.

(Foto: Screenshot/Twitter)

Pas konfrontimit me lojtarët dhe stafin e Tunizisë, Sikazwe i qëndroi vendimit të tij dhe u shoqërua nga sigurimi derisa po largohej nga fusha.

Organizatorët e AFCON kërkuan rifillimin e ndeshjes, por Tunizia nuk u rikthye në fushë dhe Mali u shpall fitues. Ekipi humbës bëri ankesë në Konfederatën e Futbollit Afrikan që u hodh poshtë. /Telegrafi/

Exit mobile version