Drejtuesi i Borussia Dortmundit, Michael Zorc ka thënë se klubi është i lumtur që ta mbajë sulmuesin anglez Jadon Sancho edhe për sezonin 2020/21.
Raportet e medieve kanë pretenduar se Manchester Unitedi ka kontaktuar me Dortmundin për një transferim të mundshëm veror, por dëshirojnë që klubi gjerman të ulë vlerësimin e tyre prej 120 milionë eurosh.
Megjithatë, Zorc iu përgjigjur spekulimeve, duke thënë se dëshira e klubit gjerman është ta mbajë edhe më tutje Sanchon në Bundesliga.
“Jadon është një futbollist i shquar me statistika që nuk i kam parë kurrë në këtë moshë”, ka thënë fillimisht Zorc.
“Unë mendoj se do të qëndronte si njëri nga më të mëdhenjtë në industri nëse shikoni moshën e tij”.
“Do të isha i lumtur nëse ai akoma do të luante me ne këtë sezon. Dhe kjo është gjendja aktuale”.
“Para së gjithash duhet t’u përmbahemi fakteve – dhe ato janë të tilla, saqë ne akoma kemi një kontratë me të deri në vitin 2022”, përfundoi gjermani. /Telegrafi/