Telegrafi

Zlatko Dalic kursen yjet kryesore kroate kundër Islandës

Zlatko Dalic planifikon që të luajë kundër Islandës me ekipin rezervë pasi që tashmë kombëtarja kroate ka siguruar vendin e parë në grupin D.

Trajneri kroat ka vendosur që t’i pushojë disa yjeve të kombëtares dhe t’u jep mundësi lojtarëve të tjerë që kanë pasur më pak minuta në fushë.

Andrej Kramaric, Marko Pjaca, Josip Pivaric, Luka Modric dhe Ivan Strinic (Getty Images)

“Kalkulimet nuk janë të mira, por ne me siguri se nuk do të bëjmë këso llogaritje. Nuk mërzitem me ekipet e tjera, por lojtarët e mi nuk i ndaj dhe të gjithë e përfaqësojnë Kroacinë”.

“Kushdo që paraqitet, do të thotë se luan Kroacia. Mendoj se ne mund të marrim një rezultat të mirë ndërsa formacionin do ta publikojmë një orë para kohe”, shtoi trajneri kroat.

Kroacia ka gjasa të mira të takohet me ekipin e vendit të dytë të grupit C, ku aktualisht në këtë pozitë gjendet Danimarka.

Theksojmë se Islanda është në garë për fazën eliminuese, ka numër të njëjtë të pikëve si Argjentina (një), kështu që fitorja eventuale mbi kroatët do ta gjejë veten në raundin e ardhshëm të Kupës së Botës.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth Kupës së Botës

Ndryshe, kjo ka bërë që të reagojnë edhe përzgjedhësit e Nigerisë dhe Argjentinës, të cilët deklaruan se vendimi i kroatit nuk ishte i bazuar në parimet e “lojës së drejtë”. /Telegrafi/