Site icon Telegrafi

Zjarri përfshin bjeshkët e Deçanit, Ramosaj fton vullnetarët të bashkohen në aksionin për shuarjen e flakëve

Zjarri ka përfshirë malet e Deçanit, duke shkaktuar dëme të mëdha në sipërfaqe pyjore.

Lidhur me këtë situatë të krijuar ka reaguar kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Ramosaj në një postim në Facebook, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në aksionin për shuarjen e zjarrit.

“Ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkohemi në një aksion të rëndësishëm për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Kullës së Qelisë në Bjeshkët e Deçanit. Situata kërkon reagim të menjëhershëm dhe kontributin e secilit prej nesh. Ftojmë të gjithë vullnetarët që të bashkohen nesër, në ora 08:00, tek stacioni i zjarrfikësve në Deçan”, ka shkruar Ramosaj.

Lexo po ashtu Zjarr i madh përfshin malet e Deçanit, kërkohet ndërhyrje urgjente nga autoritetet qëndrore

Ramosaj ka theksuar se pajisjet e nevojshme do të sigurohen në terren, por ju rekomandojmë të vini të përgatitur me rroba dhe këpucë të përshtatshme.

Edhe Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet shtetërore për të ndaluar përhapjen e flakëve.

“Ju bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore për ndërhyrje emergjente në ndaljen e zjarreve në malet e Deçanit, zjarr i cili ka marrë përmasa shqetësuese. Dënojmë zjarrvënien e cila ka shkatërruar hektarë të tërë të pasur me bimë, gështenja e drunj të ndryshëm”, thuhet në reagimin e Lidhjes së Historianëve. /Telegrafi/

Exit mobile version