Site icon Telegrafi

Zjarri në repartin e të porsalindurve në spitalin e Indisë vret 10 foshnja dhe plagos 17 të tjera

Dhjetë foshnja të porsalindura kanë vdekur pasi një zjarr përfshiu një njësi të kujdesit intensiv neonatal në një spital në veri të Indisë.

Zjarri, i cili plagosi gjithashtu 17 foshnja të tjera, u përhap me shpejtësi në repartin në Kolegjin Mjekësor Maharani Laxmibai në qytetin Jhansi, ku po trajtoheshin 49 foshnja, sipas zëvendëskryeministrit të shtetit, Brajesh Pathak.

Pathak tha se shtatë nga foshnjat e vrara ishin identifikuar, ndërsa autoritetet po punonin për të identifikuar tre të tjera.

“Shtatëmbëdhjetë nga të plagosurit po marrin trajtim në disa spitale private”, tha Pathak.

Siç raportohet, ende nuk dihet shkaku i zjarrit, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Ne do të identifikojmë përgjegjësit për këtë tragjedi dhe do të marrim masa të rrepta. Qeveria qëndron pranë familjeve gjatë kësaj kohe të vështirë”, shtoi zëvendëskryeministri.

Dëshmitarët okularë thanë se përpjekjet e shpëtimit filluan rreth 30 minuta pasi filloi zjarri dhe se reparti tashmë ishte përfshirë nga flakët kur zjarrfikësit mbërritën.

Ndryshe, janë ngritur pyetje mbi masat e sigurisë së spitalit, sepse prindërit e foshnjave dhe dëshmitarët pretendojnë se alarmet e zjarrit nuk u aktivizuan.

Një nga prindërit, foshnja e të cilit vdiq në incident tha: “Nëse alarmi i sigurisë do të kishte funksionuar, ne mund të kishim vepruar më shpejt dhe të kishim shpëtuar më shumë jetë”.

Kryeministri indian, Narendra Modi shprehu ngushëllimet e tij për incidentin.

Ai tha: “Ngushëllimet e mia më të thella për ata që humbën fëmijët e tyre të pafajshëm. I lutem Zotit që t’u japë atyre forcën për të përballuar këtë humbje të madhe”. /Telegrafi/

Exit mobile version