Site icon Telegrafi

Zjarri në Pravallë ende aktiv, mungesa e ndërhyrjes nga ajri përkeqëson situatën

Zjarri i madh që ka shpërthyer në malet e Pravallës vazhdon të përhapet me intensitet të lartë, duke kërcënuar edhe shtëpitë në fshatin turistik të Prevallës.

Situata është përkeqësuar pasi, deri më tani, nuk ka pasur ndërhyrje nga ajri me helikopter për të shuar flakët.

Zjarri, i cili ka nisur të përhapet me shpejtësi për shkak të nxehtësisë së madhe, ka alarmuar banorët dhe vizitorët e zonës.

Autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmë urgjente nga KFOR-i për të ndihmuar në vënien nën kontroll të situatës.

Zjarri ka shkatërruar tashmë një sipërfaqe të madhe të pyjeve dhe është në rrezik të përhapet drejt zonave të banuara, duke kërcënuar jo vetëm pronat, por edhe jetën e njerëzve.

Forcat e zjarrfikësve dhe vullnetarët lokalë janë duke punuar pa ndalur për të frenuar flakët, por terreni i vështirë malor dhe mungesa e mjeteve të specializuara e kanë bërë të pamundur vënien nën kontrollë të situatës.

Kërkesa për ndërhyrje ajrore vjen në një kohë kur çdo minutë është vendimtare për të parandaluar një katastrofë të madhe në zonën turistike të Prevallës./Telegrafi/

Exit mobile version