Maja e Hasanit në Lipë të Pejës është përfshirë nga një zjarr i fuqishëm që ka qenë aktiv për më shumë se dy ditë.
Telegrafi njoftoi mbrëmjen e kaluar për zjarrin dhe për përhapjen e tij në këtë zonë të ndjeshme.
Në lidhje me këtë Drejtori i Emergjencave në Pejë Gëzim Gashi, për Telegrafin ka folur për situatën aktuale dhe sfidat me të cilat përballen ekipet e zjarrfikësve.
Ai ka theksuar se zjarrfikësit janë duke përballuar vështirësi të mëdha për të arritur në vendin e ngjarjes dhe për të kontrolluar përhapjen e zjarrit dhe sipas Gashit shpresojnë që shuarja totale e tij të ndodh në orët e mbrëmjes të ditës së sotme ose nesër.
“Për momentin gjendja e zjarrit po vazhdon, zjarrfikësit, edhe pse po kanë shumë probleme për të shkuar deri tek vendi i ngjarjes, janë atje dhe po intervenojnë. Besojmë se shumë shpejt do të arrijmë ta ndalim zjarrin. Megjithatë, për shkak të terrenit të vështirë, po na zgjatet pak, por po shpresojmë që sot ose nesër do ta shuajmë zjarrin”, ka thënë Gashi.
Deri më tani autoritetet lokale dhe emergjenca janë të angazhuar për të menaxhuar këtë situatë dhe po punojnë pa ndalur për të ndaluar zjarrin sa më shpejt të jetë e mundur.