Site icon Telegrafi

Zjarr në një tunel në Afganistan, të paktën 19 të vdekur

Të paktën 19 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur nga një zjarr brenda një tuneli rrugor në Afganistan, thonë zyrtarët lokalë.

Një cisternë nafte u përmbys dhe mori flakë në tunelin Salang – që lidh kryeqytetin Kabul me provincat veriore – të shtunën në mbrëmje.

Zjarri u përhap në automjete të tjera para se të shuhej mëngjesin tjetër, raporton bbc.

Fotot e postuara në rrjetet sociale tregonin disa automjete të djegura plotësisht pas incidentit, transmeton Telegrafi.

“Një cisternë e karburantit shpërtheu… Unë rashë. Rrobat e mia morën flakë”, tha një dëshmitar i plagosur në tunel.

Disa prej trupave u dogjën rëndë, tha një zyrtar i lartë shëndetësor në Parwan, “midis të vdekurve ishte shumë e vështirë të identifikohej se kush ishte mashkull dhe kush femër”.

Të paktën 32 persona u plagosën, tha një zyrtar tjetër. Mendohet se numri i viktimave mund të rritet ende.

Ministria e Punëve Publike tha se kalimi ishte mbyllur për trafikun ndërsa po kryheshin operacionet e shpëtimit.

Tuneli Salang është 2.6 km i gjatë dhe ndodhet në një lartësi prej rreth 3400 metrave.

E përshëndetur si një kryevepër inxhinierike në përfundimin e saj në vitet 1960 nga Bashkimi Sovjetik, rruga kryesore përmes maleve Hindu Kush mbyllet shpesh për ditë të tëra për shkak të aksidenteve dhe ortekëve.

Një zjarr në tunel në vitin 1982 vrau të paktën 400 njerëz, megjithëse disa vlerësime thonë se numri i të vdekurve arrin në mijëra. /Telegrafi/

https://twitter.com/gchahal/status/1604418974489329666

Exit mobile version