Telegrafi

Zjarr dhe shpërthim në një anije cisternë në Arabinë Saudite – “sulmi erdhi nga një burim i jashtëm”

Një anije cisternë nafte pranë qytetit port të Jeddah të Arabisë Saudite është goditur nga një “burim i jashtëm” i paidentifikuar që shkaktoi një zjarr dhe një shpërthim, tha një kompani transporti.

Në një deklaratë të hënën, kompania e transportit Hafnia tha se të gjithë 22 marinarët në bordin e e BW Rhine shpëtuan pa lëndime, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Kompania paralajmëroi se ishte e mundur që një sasi e karburantit të derdhej nga vendi i shpërthimit.

“BW Rhine është goditur nga një burim i jashtëm ndërsa po shkarkohej në Jeddah, Arabia Saudite në rreth 00:40 me kohën lokale më 14 dhjetor 2020, duke shkaktuar një shpërthim dhe zjarr pasues në bord”, tha Hafnia në deklaratë në faqen e saj të internetit.

Ekuipazhi i anijes shuajti zjarrin, tha kompania, duke shtuar se pjesë të trupit të anijes ishin dëmtuar.

“Është e mundur që pak naftë të ketë dalë nga anija, por kjo nuk është konfirmuar dhe instrumentet aktualisht tregojnë se nivelet e naftës në bord janë në të njëjtin nivel si para incidentit”, ka thënë Hafnia.

Dryad Global, një firmë e inteligjencës detare, gjithashtu raportoi shpërthimin por askush nuk dha ndonjë supozim rreth shkakut. /Telegrafi/