Aktivitetet për të rinjtë e rajonit të Mitrovicës janë duke u shtuar dita-ditës, duke ofruar mundësi të ndryshme të angazhimeve dhe shpërqëndrimit nga interneti, i cili tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë.
Së fundmi, një kësi lloj aktiviteti u zhvillua gjatë ditës së djeshme dhe ai ishte turniri i CS2 me të rinjtë e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.
Ky aktivitet u zhvillua nga Rinia Demokratike e Kosovës (RDK), në këtë rajon.
Kryetarja e Rinisë Demokratike të Mitrovicës, Anita Sherifi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky turnir u organizua në kuadër të Muajit të Rinisë së RDK-së, për të rinjtë e rajonit të Mitrovicës.
Sherifi ka thënë se turniri ka zgjatur vetëm një ditë dhe është zhvilluar në hapësirat e Super Sonic – gaming zone në Mitrovicë.
Ajo ka thënë se në këtë turnir ishin të përfshirë të rinjtë mbi moshën 18 vjeçare dhe gjithsej ishin tetë ekipe garuese, ndërsa ekipi që fitoi ishte “Clean Killers” nga Mitrovica.
“Ky ishte edicioni i parë dhe duke e parë entuziazmin tek të rinjtë gjatë lojës, patjetër me shumë vullnet do të ketë vazhdimësi gjatë viteve vijuese”, ka thënë kryetarja e Rinisë Demokratike të Mitrovicë.
Sherifi ka bërë të ditur se atmosfera në këtë turnir ishte e jashtëzakonshme, kështu duke mos lënë vend për ndonjë pakënaqësi.
“Të gjitha ekipet dhuruan spektakël duke i demostruar aftësitë e tyre në lojë dhe njëkohësisht sollën emocione të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit”, ka shtuar ajo.
Më tej, Sheifi ka treguar se synimi i këtij turniri është angazhimi i të rinjëve, zhvillimi i konkurrencës profesionale dhe socializimi i të rinjëve të këtij rajoni.
Kjo sipas saj, sepse përvoja e lojës kolektive dhe sukseset që ekipi arrin së bashku sjellin një ndjenjë të jashtëzakonshme të bashkëpunimit dhe triumfit. /Telegrafi/