Site icon Telegrafi

Zgjedhjet në Serbi, a mund ta frikësojë Vuçiqin opozita e bashkuar?

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Serbisë, si dhe zgjedhjet lokale në 65 komuna dhe qytete, përfshirë edhe Beogradin.

Në 8.273 qendra të votimit të drejtën e tyre mund ta ushtrojnë 6.500.666 qytetarë të Serbisë. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00.

Sipas ligjit aktual zgjedhor, mandatet parlamentare shpërndahen proporcionalisht sipas numrit të votave të fituara, transmeton Telegrafgi.

Për partitë politike të pakicave kombëtare në shpërndarjen e mandateve, të cilat, nëse nuk e kalojnë pragun elektoral prej tre për qind, zbatohet “pragu natyror”, i cili fitohet kur numri i votave të vlefshme pjesëtohet me 250 deputetë për secilin vend, i cili, në varësi të pjesëmarrjes në zgjedhje, varion nga 12.000 deri në 16.000 vota. Në këto zgjedhje marrin pjesë shtatë lista zgjedhore të pakicave.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme u shpallën me kërkesë të disa partive opozitare, pas protestave disamujore të qytetarëve anembanë Serbisë, të pakënaqur me reagimin e shtetit ndaj dy vrasjeve masive në fillim të majit në Beograd dhe në afërsi të Mlladenovcit, ku 19 persona, kryesisht fëmijë, vdiqën.

Pas një sërë ngjarjesh tragjike dhe trazirave politike, zgjedhjet do të testojnë forcën e partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe liderit të saj, i cili është edhe presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq.

Kundërshtari më i madh në zgjedhjet e ardhshme për president të Serbisë dhe lider të SNS-së është koalicioni Serbia kundër dhunës (SPN), i formuar në valën e protestave që u organizuan pas dy masakrave në shkollën fillore “Ribnikar” dhe Mlladenovc.

Koalicioni u formua nga bashkimi i një numri partish ideologjikisht heterogjene, ndër të tjera, partia Liberale për Liri dhe Drejtësi (SSP) dhe partia e qendrës së djathtë e Lëvizjes Kombëtare të Serbisë (NPS).

Komisioni Zgjedhor ka detyrim ligjor të përcaktojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve jo më vonë se 96 orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Qytetarët do të kenë vlerësimet e para të rezultateve zgjedhore një orë pas mbylljes së qendrave të votimit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version