Telegrafi

Zëvendësministri Mazreku viziton Prishtinën, klubi ripërsërit kërkesat lidhur me situatën e pavolitshme në infrastrukturë

(Foto: Prishtinafc.com)

Të hënën në ambientet e improvizuara të FC Prishtinës, ishte mysafir zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Mazreku.

“Është një kumt i mirë që një zyrtar shtetëror për herë të parë viziton ambientet provizore të FC Prishtina dhe interesohet për së afërmi për problemet, nevojat dhe interesat e klubit më të madh në vend”, thuhet në një njoftim të klubit në Facebook.

Në takimin, në të cilin klubin kryeqytetas u përfaqësua nga nënkryetari i bordit Ahmet Kurtolli, anëtari i bordit Fikret Maqastena, drejtori gjeneral Sokol Krasniqi, sekretari Fatos Hoxha dhe drejtori sportiv Arsim Thaqi, u ripërsëritën kërkesat drejtuar Ministrisë lidhur me situatën e pavolitshme në infrastrukturë të FC Prishtina.

(Foto: Prishtinafc.com)

“Kam marrë iniciativë që të krijoj në program pune dhe të takohem me të gjitha drejtoritë e sportit nëpër komuna, për t’i parë problemet nga afër, për gjendjen aktuale, e sidomos për futbollin e infrastrukturën e saj si sportin më masiv në vend”.

Lexo po ashtu TË GJITHA LAJMET NGA FC PRISHTINA

“Dua të bëj përpjekje për të ndryshuar gjendjen aktuale, sepse sporti, e sidomos futbolli, është shkollë edukimi në vete, që largon fëmijët nga rruga, ndërsa tani edhe mund të arrihet shumë më larg dhe më suksesshëm në shkollimin e talenteve”, citohet të ketë thënë Mazreku.

“Po ashtu shpresoj shumë që premtimi i kryeministrit Haradinaj të jetësohet sa më shpejtë, e që klubit më të madh në vend, FC Prishtinës, t’i jepet në shfrytëzim parcela e kërkuar për ndërtimin e kompleksit sportiv”, ka thënë ndër të tjera zëvendësministri i MKRS-së.