Telegrafi

Zeqiri kërkon të bëjë vend te Brightoni në Ligën Premier, thotë se po punon shumë dhe po mëson anglisht që të adaptohet sa më parë

Andi Zeqiri prej se është bashkuar me Brightonin në Ligën Premier, ka zhvilluar dy takime dhe atë nga banka rezervë, ku në total ka luajtur 62 minuta, derisa në Kupë ishte titullar dhe luajti 63 minuta.

Ai ka thënë se po angazhohet maksimalisht në stërvitje për t’u siguruar se është plotësisht i gatshëm kur trajneri i Brightonit, Graham Potter DO t’ia besoj vendin e startuesit edhe në kampionat.

“E di që futbolli në Angli dallon prej shteteve tjera, sepse luhet një lojë shumë e shpejtë. Kjo më ka ndihmuar që të përmirësohem shumë për shkak se prej ditës që kam ardhur kam mësuar diçka të re, si në aspektin teknik ashtu edhe atë taktik”.

“E di që ende kam shumë pengesa para vetes dhe do t’i tejkaloj së shpejti. Besoj se do të jem në formën time më të mirë kur të më jepet rasti të përfshihem në ekip. Kjo edhe është sfida ime, pra që të dëshmoj se jam i gatshëm për të luajtur prej fillimit”.

“Kam mësime të gjuhës angleze tri herë në javë nga një orë dhe kjo po më ndihmon shumë që të adaptohem sa më shpejt te Brightoni, si në fushë ashtu edhe jashtë fushës”.

“Tash kur të tjerët po flasin gjuhën angleze, unë po jam në gjendje që t’i kuptoj ata pak a shumë. Unë nuk jam i ndrojtur të flas, kështu që po përpiqem të bëjë sa më shumë biseda me bashkëlojtarët”, ka thënë sulmuesi shqiptar.

Brightoni pas 19 ndeshjeve të luajtura këtë edicion në elitën e futbollit anglez, zë vendin e 16-të në klasifikim me 17 pikë të grumbulluara. /Telegrafi/