Telegrafi

Zelanda e Re porosit vaksina shtesë nga Pfizer-BioNTech, të mjaftueshme për të gjithë popullsinë

Zelanda e Re do të blejë vaksina shtesë kundër COVID-19 nga Pfizer-BioNTech, të cilat do të jenë të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë vendin.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, qeveria ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë 8.5 milionë doza shtesë, të mjaftueshme për të vaksinuar mbi 4 milionë njerëz; vaksinat pritet të arrijnë në vend në gjysmën e dytë të këtij viti.

“Kjo e çon porosinë tonë totale të Pfizer në 10 milionë doza ose mjaftueshëm për pesë milionë njerëz për t’u vaksinuar plotësisht kundër COVID-19”, tha kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Marrëveshja paraprake e qeverisë me Pfizer-BioNTech ishte për 1.5 milion doza të vaksinës, të mjaftueshme për të injektuar 750 mijë njerëz.

Ndryshe, Zelanda e Re e filloi muajin e kaluar shpërndarjen e vaksinave të Pfizer-BioNTech dhe pret që të injektojë tërë popullsinë e saj deri në fund të vitit. /Telegrafi/