Telegrafi

Zekirija Ramadani i lumtur me fitore, flet për kundërshtarin e radhës

Prishtina ka mposhtur Inter d’Escalandes në finalen e raundit paraeliminator me rezultat 2-0.

Më këtë fitore Prishtina do të luajë në raundin e parë të kualifikimeve ndaj Fernecvarosit.

Trajner i Prishtinës, Zekirija Ramadani, është ndarë i lumtur me lojën e treguar dhe fitore, ndërsa foli edhe për kundërshtarin e radhës.

“Objektivi ka qenë i qartë që të kalohet ky turnir dhe mendoj se jo vetëm Prishtina, por të gjithë kampionët tjerë paraprak të Kosovës e kanë kaluar këtë raund preliminar duke dëshmuar që kampioni i Kosovës nuk e ka vendin nga ky raund, por nga ajo e para kualifikuese”.

“T’i gëzohemi njëherë këtij kalimi, pastaj do të mendojmë edhe për ndeshjen e radhës e që normal tani favorit kryesor është ekipi kundërshtar, mirëpo për secilin prej nesh është motiv shtesë për ta treguar kualitetin përball Ferencvarosit”.

“Kurse, sa i përket ndeshjes së sotme, ishte ndeshje e mirë, kishim një kundërshtar që të paktën e njihnim, jo si kundërshtari paraprak, por nga fotot që i publikuan u duk se edhe ata kishin pasur ndeshjet tona duke i qasur profesionalisht këtij takimi”.

“Por, mendoj se kualiteti u pa qartazi, u pa që si grup jemi shumë më të mirë duke arritur të realizojmë dy gola, arritëm të menaxhojmë rezultatin, posedimin dhe jam shumë i lumtur për këtë fitore për të cilën i uroj futbollistët. Shpresojmë të mbesim me këmbë në tokë dhe të shohim punën”, ka thënë Ramadani. /Telegrafi/