“Biskota” (term i shpikur nga italianët për të treguar ndeshjet ku skuadrat gjejnë një kompromis për rezultatin që në fillim) e famshme nordike e “Euro 2004”-së (Danimarka dhe Suedia barazuan 2-2 në takimin e fundit në fazën në grupe duke “eliminuar” Italinë) ka qenë një “thërrime” përballë asaj që gatoi Italia me Uruguain në Botërorin e organizuar në Meksikë më 1970-në.
Për të zbuluar atë çfarë fshihej pas barazimit mes Italisë dhe Uruguait, ka menduar njëri prej protagonistëve të skuadrës që në fund të shpallej kampione bote. Ishte pikërisht Sandro Macola ai që gjatë një interviste për “Corriere della Sera”- n, përveç takimit të kurdisur, tregoi edhe shumë të fshehta të mëdha të jetës së tij, shkruan panoramasport.
“Është e vërtetë, ne kemi kurdisur ndeshjen me Uruguain, të vlefshme për fazën në grupe. Në takimin e parë, ne mundëm Suedinë 1- 0, ndërsa Uruguai bëri të njëjtën gjë me Izraelin. Në takimin e dytë me një barazim do të kualifikoheshin të dy ekipet dhe pak minuta përpara se të fillonte ndeshja më takoi në dhomat e zhveshjes kapiteni i Uruguait. ‘Hombre, hoy nosotros empatamos’ (Djalosh, sot ne do të barazojmë), më tha.
Unë lajmërova dhe shokët dhe vura re se të gjithë sikur u çliruan prej asaj që u tregova. I vetmi që refuzoi ishte Bertini, i cili ishte tipi i lojtarit që do të fitojë edhe në stërvitje. Sapo nisi ndeshja, ai vrapoi si i çmendur dhe me fjalë të tjera tërboi uruguaianët, të cilët më afroheshin për të më thënë: ‘Este hombre está loco!’ (Ky qenka i çmendur). Ndeshja mbaroi në barazim dhe dy ekipet kaluan për më tej duke ‘djegur’ kështu Suedinë”./panoramasport