Tifozët kroatë sot hodhën fishekzjarrë gjatë ndeshjes së përfaqësueses së tyre ndaj Çekisë, por mediet raportojnë se ata patën një arsye për këtë reagim.
Mediumet britanike raportojnë se hedhja e fishekzjarrëve nga tifozët ka ardhur si formë proteste kundër Federatës së Futbollit të Kroacisë.
Tifozët hodhën fishekzjarrë në fushë derisa Kroacia po fitonte me rezultat 2 me 1 dhe gjatë largimit të fishekzjarrëve u sulmua edhe një kujdestar i fushës.
Këto sulme kanë ndodhur si protestë kundër Federatës dhe veçanërisht kundër Zdravko Mamiqit, ish-drejtor ekzekutiv i Dinamo Zagrebit.
Fansat kroatë kanë një betejë të gjatë me Mamiqin, i cili u arrestua gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar pasi ishte përfshirë një parregullsi në transferime të lojtarëve te Dinamo.
Mamiq është akuzuar për përvetësimin e 118 milionë kunave (14 milionë eurove) nga Dinamo që prej vitit 2008, derisa ai dhe vëllai i tij u arrestuan korrikun e kaluar kur u akuzuan për shmangie të taksave lidhur me transferimin e Luka Modriqit nga Dinamo te Tottenhami në vitin 2008 dhe në transferimin e Dejan Lovrenit te Lyoni në vitin 2010.
Fansat ia kishin mësyrë që të marrin masa anti-korrupsion duke protestuar në ligë dhe në kualifikimet e Euro 2016, para se të ndodhte sulmi i sotëm.