Presidenti i Partisë për Liri dhe Drejtësi të Serbisë, Dragan Gjilas, ka publikuar një video të partisë në pushtet dhe Aleksandar Vuçiqit duke importuar vota të sigurta nga Republika Serbe e Bosnje-Hercegovinës.
Gjegjësisht, Gjilas ka publikuar një video në Twitter, ku shihen qytetarët të cilët kanë ardhur me vetura dhe autobus të vegjël me targa nga Republika Serbe më 31 janar dhe 1 shkurt për të marrë nënshtetësinë me procedurë të përshpejtuar.
Kushti i vetëm është që ata të votojnë për SNS e Vuçiqit. “Njerëzit sillen me furgona në stacionet e policisë në të gjithë Serbinë, dhe kryesisht në Beograd”, njoftoi partia opozitare, raporton nova.rs.
https://twitter.com/DraganDjilas/status/1489675127612526596
Në pyetjen se nga janë, qytetarët janë përgjigjur se janë “përtej kufirit, nga Sarajeva, Bijeljina, nga Bosnja”. Sipas MSA-së, çdo grup ka një listë dhe koordinatorin e vet.
Zëvendëskryetari i MSA-së, Borko Stefanoviq, së fundi ka zbuluar se qeveria me qëllim regjistron qytetarët e rinj për t’i votuar në zgjedhjet e ardhshme.
Ai tha në një konferencë për shtyp të hënën se Partia Progresive Serbe në pushtet, duke keqpërdorur institucionet kompetente, ka raportuar për banorë fiktive në komunën e Beogradit, Vraçar.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në shtetin serb do të mbahen më 3 prill ndërsa opozita po kandidon me kandidatin e përbashkët, gjeneralin e pensionuar, Zdravko Ponosh. /Telegrafi/