Presidenti amerikan, Joe Biden ka njoftuar se ushtria amerikane ka vrarë liderin e ISIS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi në një sulm kundër terrorizmit në Siri.
Bëhet fjalë për pasardhësin e Abu Bakr al-Baghdadi, i cili u vra në një operacion të ngjashëm në vitin 2019.
Të paktën 13 persona u vranë në sulm, duke përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra. Bomba që vrau civilët u shpërthye nga një udhëheqës i ISIS-it, thonë zyrtarët amerikanë. Këtë e ka konfirmuar presidenti amerikan, Joe Biden, kur iu drejtua publikut nga Shtëpia e Bardhë.
Fotografitë e shtëpisë së sulmuar nga amerikanët tregojnë se kati i tretë i shtëpisë është shembur plotësisht.
Sipas Joe Biden dhe zyrtarëve amerikanë, bomba që shpërtheu në katin e tretë të shtëpisë u shpërthye nga vetë lideri i ISIS, duke vrarë veten dhe familjen e tij.
Abu Ibrahim al-Hashemi al-Qurayshi ka udhëhequr ISIS-in që nga vdekja e themeluesit të tij, Abu Bakr al-Baghdadi, i cili gjithashtu u vra gjatë një operacioni të SHBA-së në vitin 2019. Kurejshi ka qenë shumë i fshehtë që kur pasoi Baghdadin, i cili ishte vetëshpallur kalifat i Sirisë dhe Irakut nën të cilat ndodheshin miliona njerëz.
Pas humbjeve në fushën e betejës gati tre vjet më parë, ISIS ka kryer sulme guerile në Irak dhe Siri. Grupe të shumta xhihadiste të lidhura me al-Qaedan po veprojnë në veriperëndim të Sirisë, bastioni i fundit i madh i rebelëve kundër presidentit Bashar al-Assad në një luftë civile dhjetëvjeçare. Aty fshihen edhe krerët e ISIS-it. /Telegrafi/