Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka realizuar një operacion me fokus në parandalimin dhe sanksionimin e shkeljeve të rregullave të trafikut, veçanërisht në rastet e tejkalimit në vijë të plotë dhe në vende të ndaluara, si dhe tejkalimit të pasigurt. Ky operacion është zbatuar nga data 13.02.2025 deri më 28.02.2025.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1,610 tiketa për shkelje të rregullave të trafikut.
“Nga to, 20 tiketa janë shqiptuar për tejkalim në vijë të plotë. Ndërsa 79 tiketa janë shqiptuar për tejkalim të pasigurt. Njësia e Komunikacionit Rrugor apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar për të shmangur aksidentet dhe rreziqet në rrugë. Së bashku për një trafik më të sigurt”, ka thënë Veseli. /Telegrafi/