Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Shpresa Emra ka njoftuar Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, lidhur me zbatimin e rekomandimeve të adresuara nga IAP-ja për respektimin e të drejtave të njeriut gjatë proceseve gjyqësore.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Emra ka informuar zyrtarët e Institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me gjendjen dhe ngarkesën me lëndë, trajtimin e lëndëve me prioritet, dhe planin e punës së kësaj gjykate për trajtimin e lëndëve të vjetra, me qëllim që të respektohen të drejtat e qytetarëve për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.
Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se “Dita e hapur” paraqet një mundësi për qytetarët për takim me kryetaren Emra për të adresuar shqetësimet e tyre.
Avokati i Popullit, sipas njoftimit, ka vlerësuar këtë praktikë meqë ofron një mundësi për të vepruar dhe ndërmarrë masa në lidhje me kërkesat dhe ankesat e qytetarëve.
Me këtë rast Avokati i Popullit ka theksuar se bashkëpunimi institucional është vendimtar, jo vetëm si obligim kushtetues, por edhe si parakusht themelor për luftimin efektiv të diskriminimit dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
“Në këtë takim u diskutuan edhe gjetjet nga raporti vjetor për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi”, përfundon njoftimi i Gjykatës. /Telegrafi/