Roma ka shkaktuar befasinë më të madhe javë më parë, sa i përket emërimit të trajnerit.
Edhe pse nuk ishte flitur në asnjë moment, Jose Mourinho u zyrtarizua si trajner i ri i Romës për edicionin e ri.
Me zyrtarizimin e Mourinhos, gjiganti italian pret të bëjë përforcime të mëdha dhe synon që të luftojë për trofe edicionin e ardhshëm.
Për ardhjen e teknikut portugez te Giallorosët ka folur edhe ylli i kësaj skuadre, Nicolo Zaniolo i cili tanimë është shëruar nga lëndimi i gjatë që e mbajti jashtë fushave për një periudhë thuajse një vjeçare.
“Të gjithë jemi të entuziasmuar për ardhjen e Mourinhos te Roma. Ai është një trajner i shkëlqyeshëm që ka fituar shumë tituj dhe ne të gjithë jemi të etur për t’i treguar se sa vlejmë”.
“Për mua personalisht është një nder të punojë me të dhe mezi pres që t’ia fillojë”, tha Zaniolo.
Ai foli edhe për rikthimin e tij në fushë, derisa thotë se mbështetja e tifozëve të Romës po e bëjnë atë më të fortë.
“Mbështetja që tifozët më japin është e pabesueshme, nuk kam ndonjë fjalë për t’i falënderuar sa duhet. Një tifoz i imi, Lorenzo, më shkruan çdo ditë dhe po numëron ditët kur do të kthehem në fushë. Tifozët e Romës janë të jashtëzakonshëm”, përfundoi Zaniolo.
Talenti i madh italian i Romës ishte i pafat, pasi kishte lënduar ligamentet në dy këmbët, me lëndimet që thuajse e mbajtën dy vite jashtë fushave. /Telegrafi/