Legjenda e Interit, Javier Zanetti, ka folur në lidhje me shkarkimin e Jose Mourinhos nga posti i trajnerit të Manchester Unitedit.
Djajtë e Kuq të martën e shkëputën bashkëpunimin me strategun portugez për shkak të rezultateve të dobëta gjatë këtij sezoni.
“Mourinho do të mbetet gjithmonë një trajner i shkëlqyer. Ai ka punuar mirë në Madrid dhe në Mançester, sepse ka fituar disa trofe, pastaj i pati disa vështirësi në menaxhimin e grupit”.
“Të gjithë trajnerët kalojnë periudha të vështira, por duke e njohur atë, ai do të dëshirojë të kthehet në maje sa më shpejt që është e mundur”
“Më vjen keq, sepse nuk jemi mësuar ta shohim në atë gjendje”, ka thënë Zanetti gjatë një prononcimi në Radio Deejay.
Mourinho ka qenë trajner i Interit në periudhën 2008-2010, ndërsa asokohe argjentinasi ka luajtur nën urdhrat e tij.
Kulmin e suksesit me zikaltrit, portugezi e arriti në sezonin 2009/2010 kur e fitoi tripletën. /Telegrafi/