Ylli i Manchester Cityt, Manuel Akanji, ka thënë me shaka se ai mund të detyrohet të pensionohet në fund të këtij sezoni si pjesë e një diskutimi të gjerë për kalendarin e ngarkuar të ndeshjeve.
Akanji ka folur para rikthimit të Ligës së Kampionëve gjatë kësaj jave, aty ku kompeticioni më i madh për klube në Evropë, i është nënshtruar disa ndryshimeve të mëdha me një format krejtësisht të ri.
Rritja e numrit të ndeshjeve ka shkaktuar shqetësime në mesin e lojtarëve për shkak të frikës për lëndime.
“Është e vështirë. Ju nuk mendoni vetëm për këtë sezon, por gjithashtu edhe për tjetrin”, ka thënë Akanji fillimisht.
“Le të themi se ne do të fitojmë ligën ose kupën, atëherë do të shkojmë në finale të Kupës së Botës për klube. Community Shield është vetëm tri javë më pas, kështu që kur do t’i kemi pushimet?”.
“Nuk ka pushime gjatë dimrit, kështu që nëse jemi me fat do të kemi dy javë dhe pastaj do të rikthehemi për sezonin e ardhshëm”.
“Pastaj verën e ardhshme, është Botërori. Nuk ka fund për këtë, vetëm ndeshje pas ndeshje. Në një pikë, ju do të jeni i lodhur duke luajtur kaq shumë ndeshje dhe pastaj lëndimet, definitivisht”.
“Ne stërvitemi aq fortë sa mundemi dhe jemi të shëndetshëm, por duhet të ketë një kufi. Ndoshta do të pensionohem në moshën 30-vjeçare”, përfundoi ylli zviceran./Telegrafi/