Festivali i video-lojërave i organizuar nga Xportal Esports, edhe këtë vit do të bashkojë ekipet dhe lojtarët e vendit tonë në turne të ndryshëm, duke filluar me fazat kualifikuese nga data 14 maj.
Në festivalin e këtij viti, Xportal Esports në bashkëpunim me partnerë të shumtë, do të organizojnë katër turne në lojëra të ndryshme.
CS:GO, Dota 2, Fifa 22 dhe Tekken do të jenë titujt e lojërave të cilat do të jenë pjesë e këtij edicioni të dytë të XP GAME FEST, i cili do të bashkojë ekipet dhe lojtarët më të mirë të vendit.
Fokusi kryesor do të jetë si gjithmonë në video-lojën më të luajtur dhe më të shikuar të vendit tonë, CS:GO, ku janë ftuar disa nga ekipet më të mira të vendit dhe rajonit.
Ekipet dhe lojtarët që arrijnë në fazat finale, do të kenë mundësin që të luajnë në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë gjatë datave 27-28 dhe 29 maj.
Por as shpërblimet nuk do të mungojnë në këtë organizim, rreth 13.000 euro do të ndahen për katër turnet e këtij edicioni të XP GAME FEST 2022.
Gjatë kësaj ngjarje do të ketë edhe Game Developers Showcase ku krijuesit e lojërave do ta kenë mundësinë t’i shfaqin lojërat e tyre të cilat do të jenë të hapura për vizitorët për t’i provuar.
Për më shumë, lexoni më poshtë komunikatën e plotë nga Xportal Esports. /Telegrafi/