XP GAME FEST do të fillojë nesër (e premte) me ndeshjet e turneut të CS:GO CHAMPS duke vazhduar për dy ditë radhazi, ndërsa në ditën e tretë do të zhvillohen gara në tri video-lojërat tjera siç janë Dota 2, Fifa22 dhe Tekken7.
Katër ekipe do të garojnë në turneun e Dota 2, për një grup çmimesh prej 3 mijë euro, në turneun LAN i cili do të mbahet në amfiteatrin e sheshit Zahir Pajaziti në Prishtinë, duke filluar në ditën e diel nga ora 11:00 me ndeshjet gjysmëfinale në formatin ‘Bo3’.
Tri ekipe janë të ftuara direkt në turne, BLINK, VOID dhe Illyrians, ndërsa ekipi i katërt Troll Team ka siguruar pjesëmarrjen përmes turneut kualifikues.
Turneu i Dota 2 do të jetë me formatin me dy mundësi, ku ekipet të cilat humbin në gjysmëfinale do të kenë edhe një mundësi tjetër në ndeshje ‘Bo1’ në ‘Lower-Bracket’.
Në ndeshjet e para të gjysmëfinales do të ndeshen duke filluar nga ora 11:00 BLINK kundër Illyrians, dhe TROLL Team kundër VOID Esports.
Finalja e madhe do të zhvillohet ditën e diel, 28 maj, nga ora 18:15, dhe të gjitha ndeshjet do të transmetohen në kanalin zyrtar të XportalEsports në Twitch si dhe në kanalet e sportit në Artmotion. /Telegrafi/