Gjatë një fjalimi, presidenti Xi Jinping ka thënë se Kina “nuk do të premtojë kurrë të heqë dorë nga përdorimi i forcës” kundër Tajvanit, duke shkaktuar duartrokitje nga delegatët.
“Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për ribashkim paqësor”, ka thënë Xi ndërsa filloi Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste Kineze në Pekin.
“Por ne kurrë nuk do të premtojmë se do të heqim dorë nga përdorimi i forcës. Dhe ne rezervojmë opsionin për të marrë të gjitha masat e nevojshme”.
Tajvani ka mbajtur një qeveri të ndarë nga Kina që nga viti 1949, por Kina pretendon se ishulli i vetëqeverisur është pjesë e territorit të saj.
Dhe bashkimi i dy anëve “do të arrihet”, ka thënë më tej Xi, sipas Associated Press, përcjell Telegrafi.
Kina duhet të parandalojë “ndërhyrjen nga forcat e jashtme”, tha Xi, duke iu referuar politikanëve të huaj që partia në pushtet thotë se po inkurajojnë Tajvanin të bëjë të përhershme pavarësinë e tij de fakto – një hap që kontinenti thotë se do të çonte në luftë.
Pekini ka kërkuar të frikësojë Tajvanin duke dërguar aeroplanë luftarakë dhe bombardues pranë ishullit.
Dhe e rriti kenë prezencë pasi kryetarja e Dhomës e SHBA-së, Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin në gusht.
Në përgjigje të fjalimit të Xi, Këshilli i Çështjeve Kontinentale të Kabinetit Tajvanez tha se 23 milionë banorët e ishullit kishin të drejtë të përcaktojnë të ardhmen e tyre dhe nuk do të pranojnë kërkesat e njëanshme të Pekinit, raportoi AP.
“Ne i bëjmë thirrje me vendosmëri autoriteteve komuniste kineze që të braktisin imponimin e një kuadri politik dhe përdorimin e forcës ushtarake dhe detyrimit”, tha këshilli në një deklaratë.
Ndryshe, Kongresi do të vendosë liderë për pesë vitet e ardhshme.
Në thyerje të traditës, delegatët pritet t’i japin Xi një mandat të tretë pesë-vjeçar si sekretar i përgjithshëm i partisë.
Amnesty International paralajmëroi të dielën se zgjatja e kohës së Xi në pushtet do të jetë një “katastrofë për të drejtat e njeriut”. /Telegrafi/