Telegrafi

Xhiroja e 28-të në Superligën e Maqedonisë, ekipet e kreut në udhëtime të vështira  

E diela do të sjell pesë ndeshje në kuadër të xhiros së 28-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut në futboll.   

Vëmendja është tek ekipet shqiptare që luftojnë për titullin e kampionit dhe që të trija, Struga, Shkupi dhe Shkëndija në këtë xhiro kanë transferta të vështira.  

Kampionët në fuqi, Struga Trim Lum do të luajnë në kryeqytet, aty ku do të përballen me Makedonija Gjorçe Petrovin.   

“Jemi në një fazë të kampionatit, kur çdo ndeshje, çdo pikë është shumë e rëndësishme për ne si skuadër. Nuk na lejohen më gabime, ashtu që në ndeshjen e së dielës duhet të futemi me shumë përqëndrim, por edhe motivim për të marrë tre pikët e plota. Edhe pse aktualisht ndodhen në pozitën e fundit, neve e respektojmë skuadrën e Makedonija Gj.P. Për ne tashmë çdo ndeshje është finale, dhe në të gjitha do të luftojmë të marrim maksimumin e pikëve, pasi vetëm në atë mënyrë mund të shpresojmë tek titulli”, ka thënë kapiteni i Strugës, Bunjamin Shabani.  

Shkëndija do të luaj në qytetin e Kavadarit kundër Tikveshit. Mevlan Adili nga radhët e kuqezinjëve ka folur për takimin ndaj Tikveshit. 

“Për Tikveshin është arritje e madhe kualfikimi në finale të Kupës për herë të parë. Ne mbesim të fokusuar te planet tona, idetë tona dhe stërvitjet tona. Përqendrohemi se si ne do të luajmë, si do të paraqitemi në fushë, sepse gjithçka nga ne. Një gjë është e sigurtë, të kaluarën nuk mund ta kthejmë, të ardhmen nuk e kemi në dorë, mirëpo çka është më e rëndësishme të tashmen e kemi në duart tona dhe duhet me shumë sakrificë dhe fitorja t’ia dalim gjithë së bashku. Një gjë është e sigurtë, atje duhet të shkojmë të luajmë si burra, që pastaj mos të qajmë si gra”ka thënë Adili.  

Ndërkohë skuadrën e Shkupit e pret transferta e vështirë në Kratovë, aty ku do të përballen me Sileksin. Ekipi nga Çairi u eliminua në mesjavë në gjysmëfinale të Kupës, ndërsa ndeshjen e nesërme e sheh si vendimtare për titullin e kampionit.  

Dy skuadrat tjera shqiptare, Gostivari do të luaj në shtëpi kundër Brera Strumicës, teksa Voska Sport udhëton drejt Shkupit për duelin ndaj Vardarit.  

Të gjitha takimet janë paraparë të luhen nesër nga ora 16:00./Telegrafi