Intervistoi: Dashnim Hebibi
Dëshirat e trajnerëve me nam botëror tashmë janë bërë të prekshme dhe shumë të bujshme. Ai ka marrë shumë oferta, madje oferta serioze dhe të majme që të bëhet pjesë e ekipeve të tyre. Ndonëse, Xherdani ka bërë një shpërthim marramendës, ai e ruan modestinë, qetësinë dhe vetëbesimin, por edhe besnikërinë (tashpërtash) ndaj shtetit ku jeton – Zvicrës. Ekipi i tij Bazeli, pikërisht falë Xherdanit është bërë prijatar në futbollin zviceran, kurse vet ai, ylli i këtij ekipi.
Në vitin 2010 Xherdan Shaqiri ka qenë i zgjedhur si futbollisti më i mirë perspektiv i Zvicrës. Po më 2010, me skuadrën e tij FC Bazel kishte fituar dy tituj (të kampionit dhe kupën) e po ashtu kishte luajtur në tri ndeshje për kombëtaren “A” të Zvicrës dhe menjëherë pas kësaj mori besimin për suksese të mëtutjeshme me reprezentacionin në botërorin “Afrika e Jugut 2010”. Ndërkohë Shaqiri është bërë pjesë e pandashme e ekipit kombëtar që e drejton Otmar Hitzfeld. Ai ka fituar edhe një titull kampioni, pastaj me reprezentacionin U-21 kanë zënë vendin e dytë në kampionatin evropian të futbollit “Danimarka 2011”.
Xherdani, mbase do të shndrisë mu sikur diamanti në tepihun e gjelbër duke ofruar artin e lojës së quajtur futboll. Na kujtohet goli i tij prej 25 metrash kundër ekipit të Bullgarisë dhe poashtu na kujtohet edhe përqafimi nga ana e trajnerit të tij…
Futbllisti i talentuar Shaqiri tashmë është përzgjedhur nga “Credit Suisse Player of the Year” si dhe nga kompania më e madhe sportive në botë, “Nike” , me çka emri i tij merr dimensione edhe më të mëdha duke u bërë një simbol – idol.
I shkuar nga Kosova, ai sakaq u zbulua si një talent i rrallë dhe me potencë të madhe për lojën magjike, sikurse është futbolli. Por, ndonëse me një nënshtetësi të Zvicrës, ëndrra e tij për të luajtur në ndonjë ekip kombëtar, mbetet një dëshirë e ndrydhur, por jo e pamundur në të ardhmen.
Ai, ndonëse shumë i zënë me përgatitjet e ekipit gjeti kohë që të flasë për lexuesit tanë të cilët tashmë Xherdanin e adhurojnë dhe admirojnë pafundësisht. Të themi se kjo është intervista e parë e tij për një medium kosovar.
Xherdan, fillimisht ju falënderojmë për kohën dhe për gjithë atë që po bëni për futbollin dhe për kombin.
Viti 2011 tashmë ka mbetur pas, megjithatë duket se ky vit për ju do të mbetet në kujtesë një kohë të gjatë, meqë pikërisht me 2011 ju patët një shkëlqim të vërtetë?
Xherdan Shaqiri: Duke i falënderuar prindërit, familjen time të ngushtë, pa harruar edhe shoqërinë e tifozët e shumtë që kam, mendoj se ia kam arritur qëllimit gjatë këtij viti që të jem i suksesshëm. Prandaj, lirisht mund të them se, në përgjithësi, viti 2011 ishte vit i suksesshëm.
Tashmë ju jeni afirmuar edhe në qarqe të larta, madje emri i juaj lakohet kudo për të mirë. Çka do të thotë për ju kjo?
Xherdan Shaqiri: Kur dëgjoj lajme të mira për ne shqiptarët, normalisht se gëzohem dhe kur përmendet emri im, i ndonjë sportisti tjetër, apo veprimtari shqiptar për ndonjë sukses, kjo më bën edhe më të lumtur. Ne shqiptarët, në përgjithësi, shikuar nga historia, kemi qenë dhe jemi paqësorë dhe humanitarë. Ne e duam Zvicrën dhe do ta duam përgjithmonë, sepse na ka ndihmuar shumë dhe po na ndihmon edhe sot e kësaj dite. Si për mua dhe për shumë bashkëkombës, Zvicra është atdheu i dytë.
Kush ju ka zbuluar dhe nga kush e keni pasur përkrahjen më të madhe për të arritur deri këtu?
Xherdan Shaqiri: E kam thënë dhe do ta them përsëri se familja ime është ajo që më ka përkrahur dhe më ka dhënë zemër e vullnet që të jem ky që jam dhe unë u jam falënderues përgjithmonë dhe sa të jetë jeta do t‘i kem në shpirtin tim.
Cila ishte fëmijëria juaj, rinia dhe tash që në njëfarë mënyre jeni ”burrëruar”. Duket se keni patur një fëmijëri të lumtur dhe për t’u krenuar?
Xherdan Shaqiri: Më ke kthyer shumë prapa me kujtesë edhepse nuk e harroj asnjëherë. Babai im na ka edukuar që të jemi të sjellshëm, se kur jemi të edukuar, atëherë nuk do të mungojnë sukseset tjera gjatë jetës. Punët që i kam pasur i kam kryer si është më së miri. Kam qenë nxënës i mirë, por mendja më rrinte te futbolli. Deri në klasën e pestë, fillore, am qenë i vetmi nxënës jozviceran në klasë, por kam kaluar shumë mirë me shoqet dhe shokët e klasës. Kjo më ka ndihmuar shumë që të shoqërohem me ata dhe ta mësoj gjuhën gjermane në të shkruar edhe në të folur, apo siç thuhet, edhe atë gjermano-zvicerane. Jam rritur në Bazel, gjithnjë me fjalë e kujtime të prindërve për atdheun, që të mos harrojmë vendlindjen, vendin e të parëve, gjuhën shqipe, traditën, se duke mos i harruar dhe duke i dashur tonat, i nderojmë dhe i duam të tjerat. Në përgjithësi, jeta ime fëmijërore ka qenë shumë e mirë dhe jam shumë i lidhur me familjen time të ngushtë.
Karriera juaj filloi në Bazel. Pse pikërisht këtu dhe si trajtohen lojtarët në këtë mjedis dhe a ka paragjykime për prejardhjen?
Xherdan Shaqiri: E dimë të gjithë se Zvicra është shembulli më i mirë se si nderohen të tjerët, ata që duan të kenë suksese. Këtu, ka pak rëndësi se nga cili vend vjen, cila është gjuha amtare, feja apo raca jote. Mjafton që të kesh talent dhe të punosh. Si fëmijë i vogël kam qenë në Bazel, nga mosha tetëvjeçare. Duke ushtruar e stërvitur me fëmijët tjerë, njohësit e futbollit më kishin përcjellur dhe kështu m’u hapën dyert e suksesit. Një pjesë të këtij suksesi e ka edhe vëllai im Erdini, i cili është edhe menaxheri im.
Ju jeni lojtar standard i ekipit të parë të Zvicrës. Është një privilegj i rrallë dhe besim i madh…
Xherdan Shaqiri: Ndjehem shumë krenar që po mbroj ngjyrat e shtetit zviceran, këtij shteti mik të kombit tonë, këtij shteti që është në zemrën time. Jam i lindur në Kosovë dhe i rritur në Zvicër, prandaj jam edhe shqiptar i Kosovës edhe shtetas i Zvicrës. Lirisht mund të them se zemrën e kam nga Kosova dhe Zvicra.
Në kombëtaren e Zvicrës përveç teje luajnë edhe disa futbollistë shqiptarë? Ju bën kjo krenarë dhe si janë raportet ndërmjet jush?
Xherdan Shaqiri: Dua ta them se ndjehem shumë i sigurt, madje pse jo edhe krenar që në këtë ekip ka shumë shqiptarë, si Admir Mehmedi, Valon Behrami, Granit dhe Taulant Xhaka, Blerim Xhemajli dhe të tjerë, por dallimet nuk hetohen, sepse sporti është sport dhe loja duhet të jetë kolektive, fer dhe pa hile. Pra, me të gjithë lojtarët, dmth, edhe me ata shqiptarë, kalojmë shumë mirë. Në fushë jemi një dhe e kemi një qëllim e dëshirë, të gjithë për fitoren.
A e ke të vështirë ndarjen nga ekipi i parë, Bazeli, nëse merr vendim që një ditë ta braktisësh dhe të kalosh në ndonjë mjedis tjetër?
Xherdan Shaqiri: Oferta kam plot, por nuk do të ngutem. Deri në momentin e fundit sa të jem me Bazelin do të jap tërë forcën dhe dijen time, e pastaj duhet shikuar. Nuk them se e kam të lehtë, sepse dihet, që në vegjëli jam i lidhur me Bazelin dhe e dyta, jam shtetas zviceran. Kjo e forcon edhe më shumë dashurinë ndaj ekipit të Bazelit, por kjo çështje mbetet e hapur.
Ku do ta gjeje “rehatinë”, përveç Zvicrës?
Xherdan Shaqiri: Nuk ka rëndësi se në cilin shtet do të jem, por me rëndësi se cili ekip është. Kur pranoj të kem fanellën e një skuadre dhe kam bërë pranimin e ofertës së tyre, atëherë jap sa të mundem nga vetja që ai ekip të jetë më i miri. Prandaj, respektoj dhe e çmoj shumë ligën e Anglisë, Gjermanisë, Italisë dhe Spanjës, sepse dihet që janë ligat më të forta dhe aty luajnë futbollistët më të njohur të planetit.
Futbollistët janë bërë më të adhuruarit nga bota e bukur. A ka hy në zemrën tënde ndonjë femër ëndrre?
Xherdan Shaqiri: Po ju them një të vërtetë: zemrën ende e kam të qetë. Madje, për këtë që thoni ju, as që e kam menduar, aktualisht jam i preokupuar me karrierën, por kur të vijë rasti, do të vendos dhe të shpalos.
Sigurisht, do të bëni një dasmë të madhe për një gëzim të madh….
Xherdan Shaqiri: Dasmën, sinqerisht nuk e di, se ku do ta bëja, por dëshira ime është që ta bëjë edhe në Zvicër dhe në Kosovë. Kur të vijë dita, do të diskutoj me prindërit dhe familjen time të ngushtë dhe do të vendosim…
Çka prisni nga viti që sapo hymë?
Xherdan Shaqiri: Dëshira ime e madhe është që të kem fat e të mos pësoj lëndime. Viti 2012 do të jetë i mbushur me angazhime të shumta dhe që të jem më i suksesshëm.
Cili do të ishte mesazhi dhe një lloj urimi për bashkatdhetarët tanë?
Xherdan Shaqiri: Mesazhi im sublim do të ishte ky: kudo që jeni, të nderuar bashkatdhetarë, ju uroj nga zemra shëndet, lumturi dhe mbarësi në të gjitha drejtimet e jetës. Qoftë një vit me më shumë dashuri dhe mbretëroftë kudo në botë paqja, toleranca e mirëkuptimi. Kam dëshirë, që të mos dëgjoj lajme të kronikës së zezë, por të jemi pjesë e botës së civilizuar, sepse aty e kemi vendin.
Z. Shaqiri, ju falënderojmë nga zemra për intervistën dhe urojmë që emri juaj të ngritët sa më lartë dhe të shkëlqejë me shkëlqimin e artë.
Xherdan Shaqiri: Faleminderit shumë për intervistën dhe dua që edhe unë të marr shkas nga kjo intervistë për t’ju uruar juve dhe krejt lexuesve, jetë të lumtur e pa brenga, ashtu siç ua don zemra.