Zvicra ka statuar kampionatin botëror duke barazuar me kampionin e pesëfisht të botës, Brazilin.
Tashmë misioni i ardhshëm është fitorja ndaj kombëtares serbe, të cilës nuk ia kanë frikën zviceranët.
Kështu së paku thotë mesfushori shqiptar me tipare sulmuese, Xherdan Shaqiri i cili pohon se nuk kanë aspak presion pasi që lojtarët i njohin cilësitë e njëri-tjetrit.
“Nuk mendoj se kemi shumë presion. Nuk ia kemi frikën askujt, ne kemi cilësi për të fituar ndaj gjithkujt. Ne i njohim aftësitë tona, kemi lojtarë të mëdhenj që luajnë në ligat më të forta me vite”, ka deklaruar për mediat zvicerane Shaqiri.
Theksojmë se takimi mes këtyre dy përfaqësueseve do të zhvillohet të premten (22 qershor), me fillim në ora 20:00.
“Helvetikët” kanë marrë një barazim 1-1 ndaj Brazilit, ndërsa Serbia ka mposhtur 1-0 Kosta Rikën.
Zviceranët kanë një pikë në kuadër të grupit E, së bashku me brazilianët ndërsa serbët kanë tre sosh kurse Kosta Rika është pa pikë. /Telegrafi/