Pos ankesës për ngritje të çmimit të faturave të energjisë elektrike, qytetarët në shumë komuna të Kosovës po ankohen edhe për reduktime të furnizimit me rrymë.
Së fundmi edhe kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini ka reaguar pasi që në shumë fshatra të Opojës dhe sidomos të Gores ka ndërprerje të paplanifikuara të energjisë elektrike.
“Mungesa e vazhdueshme e furnizimit të rregullt me energji elektrike po u shkakton shqetësime dhe probleme të mëdha qytetarëve të Komunës së Dragashit, të cilët janë paguesit më të rregullt të energjisë elektrike”.
Ai thotë se këto ndërprerje po pengojnë funksionimin normal të jetës në këtë komunë.
“Ndërprerjet e shpeshta dhe rrjeti i vjetruar i furnizimit me energji elektrike në tërë territorin e Komunës së Dragashit, e veçanërisht në pjesën ku jeton komuniteti joshumicë, kanë krijuar një situatë të pafavorshme e cila po ndikon në jetën dhe aktivitetet e përditshme të qytetarëve, si dhe po pengon funksionimin normal të shumë subjekteve ekonomike në Komunën tone”.
I pari i Dragashit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të marrin masa sa më parë për përmirësimin e kësaj situate.
“Prandaj, u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse dhe kompanisë KEDS që t’i marrin seriozisht kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve, duke ndërmarrë masa të menjëhershme për përmirësimin e kësaj situate, e cila është duke vazhduar tash e sa kohë”.
“Kërkojmë që Komuna e Dragashit menjëherë të vendoset në listën e prioriteteve për rindërtimin e rrjetit elektrik, vendosjen e shtyllave prej betoni përgjatë rrugëve, si dhe vendosjen e transformatorëve adekuatë nëpër vendbanime”, ka shkruar mes tjerash Xheladini./Telegrafi/