Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të dielën se Xhafer Tahiri është zgjidhja më e mirë për zhvillimin e Vushtrrisë dhe përmirësimin e qeverisjes lokale në këtë komunë.
“Qeverisja lokale që ofron LDK-ja dhe kandidati i saj për kryetar të Vushtrrisë është e orientuar drejt zvogëlimit të papunësisë dhe rritjes së standardit të jetesës përmes aktivizimit të potencialeve për rritje ekonomike dhe punësim; krijimit të kapaciteteve të reja ekonomike; krijimit të mundësive për investime të reja; dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve nëpërmjet përmirësimit dhe avancimit të vetëqeverisjes lokale në fushën e ekonomisë”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se Platforma e LDK-së për zhvillim ekonomik lokal garanton që, në katër vitet e ardhshme, në komunat e qeverisura nga LDK, siç do të jetë Vushtrria, do të zhvillohen politika përkrahëse lokale për biznese; përmirësim të infrastrukturës urbane dhe rurale; përmirësim të shërbimeve publike; mundësi më të mëdha dhe të barabarta për të gjitha bizneset dhe qytetarët; kushte më të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme; kreditimin e jashtëm për projekte komunale; mbështetjen e bizneseve që krijojnë vende të reja të punës; dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor lokal dhe ekologjik etj.
Ndërkohë, Tahiri ka thënë se diskriminimi në baza partiake ka qenë shumë i pranishëm në vitet e fundit dhe kjo e ka shtyrë që të hyjë në garë për të parin e qytetit. Ai është zotuar për rritje të transparencës dhe eliminimit të burokracisë në komunë, si hapi i parë i qeverisjes do të ngritët një sistem llogaridhënës sa i përket shpenzimit të taksave të qytetarëve dhe bizneseve.
“Në bashkëpunim me bizneset, ne do të hartojmë politikat që ju përshtaten bizneseve dhe do të ndryshojmë rregullat e kriteret që janë pengesë në afarizëm. Komuna e Vushtrrisë është e njohur për pasuritë e mëdha, sidomos në fushën e bujqësisë. Një pasuri e madhe e komunës sonë është popullsia e re, e shkolluar dhe me shpirt ndërmarrës, të cilës LDK i kushton vëmendje të veçantë në programin qeverisës”, ka thënë Tahiri. “Ne do të ofrojmë kushte më të mira për biznese, rishikimin e taksave komunale dhe mbledhjen e tyre; rritjen e financimit, rregullimin urban në funksion të zhvillimit të biznesit, mbrojtje të mjedisit, zhvillim të transportit dhe infrastrukturës, më shumë subvencione për biznese dhe prodhimin vendor, shërbimet publike efikase, rritje të subvencioneve për bujqësinë dhe zhvillimin rural gjithëpërfshirës etj”. /Telegrafi/