Telegrafi

Werderi i Rashicës merr një fitore të madhe në udhëtim te Freiburgu, mban gjallë shpresat për mbijetesë

Foto: Werder Bremen/En/Twitter

Werder Bremen ka arritur të fitojë me rezultat minimal 1-0 në udhëtim te Freiburgu në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të në Bundesliga.

Java e 27-të në Bundesliga ka sjell disa ndeshje interesante, ku padyshim njëra nga to ishte ajo në mes të Freiburg dhe Werder, ku fitore shënuan mysafirët.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat , por ishin vetëm mysafirët që arritën të gjejnë golin.

Ishte Leonardo Bittencourt, i cili shënoi një gol të bukur për epërsinë 0-1 pas asistimit të Davy Klassen.

Në pjesën e dytë, vendasit ishin diçka më të mirë duke rritur trusninë dhe rastet në tentim të golit të barazimit, ndërsa mysafirët arritën mirë të mbahen.

Edhe pas shumë rasteve nga të dyja skuadrat dhe një goli të shënuar në minutën e 89-të nga Manuel Gulde, por të anuluar pas rishikimit të VAR-it, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Werderi mori një fitore të madhe 0-1.

Me këtë fitore, ekipi i Milot Rashicës mban gjallë shpresat për të mbetur në ligë, pasi ka 21 pikë në vendin e 17-të, ndërsa vendi i barazhit i ikë vetëm dy pikë.

Ndë ndeshjen e radhës, Werderi e pret në shtëpi Borussia Monchengladbachun, ndërsa Freiburgu udhëton te Eintracht Frankfurti. /Telegrafi/