Intervistoi: Enida Himaj
Humoristi i dashur flet për publikun dhe jetën familjare, marrëdhënien me bashkëshorten dhe fëmijët e tij.
Prej kohësh jeni ndër personazhet më të rëndësishme në “Apartamenti 2XL”, si gjendet Juli në këtë format?
U bë shumë kohë që jam pjesë e këtij formati dhe, të them të drejtën, tashmë jam mësuar me të. Më është bërë pjesë e imja. E bëj me shumë përkushtim dhe pasion, ndoshta për këtë edhe kam shikues.
Shohim personazhe të reja në këtë spektakël, si i shikoni ju ata, si më ‘veterani’ në këtë shou?
Natyrisht që ata paraprakisht janë testuar dhe i kanë dhënë provat se dinë të bëjnë publikun për të qeshur. Mundësitë janë të njëjta si për ata që janë të rinj dhe për ne, pjesën tjetër, më të vjetrit. Ne kemi eksperiencën, ndërsa ata kanë energjinë, janë më të freskët. Për sa kohë publiku i duartroket dhe i mirëpret, patjetër që ata janë pjesë aktive e këtij shou.
A vazhdon të jetë “Apartamenti 2XL” pa skenar?
Kjo ‘pa skenar’ është pak e ekzagjeruar. Situatat spontane janë të shumta në këtë shfaqje, megjithatë një përpjekje paraprake është, sidomos nëse bëhet fjalë për të ftuarit.
A do të këtë një ribashkim të SHBSH (Ermal Mamaqi, Julian Deda, Gentian Zenelaj) në të ardhmen?
Për momentin nuk kemi asnjë plan. Jemi të ndarë, port ë tre kemi emisionin tonë dhe jemi të shkueshëm.
A keni menduar të keni një shou tuajin “Julian Deda Show”
Tani për tani, një gjë të tillë nuk e kam menduar shumë seriozisht. Patjetër që është në planet he dëshirat e mia. Një ditë do ta realizoj, kjo është shumë e sigurt.
Juli, edhe si biznesmen, si ju erdhi kjo ide?
Ideja ishte e mikut tim, i cili më ftoi të bëhem ortak me të dhe i thashë pse jo. Unë primare e kam “Apartamentin”, por pse jo edhe me biznesin bëj sa mundem.
Më të pasur ju bën humori sot apo pasja e një biznesi?
Unë jetoj mirë. Nuk bëj jetë luksoze, por bëj një jetë të mirë. Mendoj se politika të bën të jetosh në luks, ose ndoshta edhe biznesi, por humori dhe aktrimi jo. Aktorët janë të pasur në shpirt, kanë azhurnimin e publikut, por nuk jetojnë në luks.
Ju kemi parë me shumë politikanë tek “2XL”. Si keni marrëdhëniet me ata jashtë skenës, a i kanë mirëpritur batutat tuaja?
Unë kam shumë miq politikanë. Kam miq të mirë që i takoj edhe jashtë, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Janë goxha sportivë kur vjen puna për batutat e shfaqjes, i mirëpresin.
Cili është personazhi që ju ka lodhur më së shumti gjatë shfaqjeve, ai që ju ka bezdisur më shumë?
Nuk ka pasur asnjë personazh që na ka bezdisur. Mund të kujtoj avokat Ngjelën kur ishte në “2xl”, që e zgjaste gjyqin, edhe pse hapësira kishte mbaruar.
Si ndryshon marrëdhënia në çift pas kaq vitesh martesë?
Marrëdhënia konsolidohet. Pa u hyrë kompromiseve, se duhet të rrijë me një person për hir të fëmijëve. Vazhdon të jetë dashuria si ditën e parë.
A është xheloze bashkëshortja për ju?
Jo, është pajtuar. Natyrisht që kur je person publik, jeta bëhet çdo gjë publiku, por tashmë jemi mësuar të jetojmë edhe me këtë.
Cila është dhurata më e shtrenjtë që u keni bërë fëmijëve?
Janë shumë dhurata në fakt. Mundohem gjithmonë t’ua bëj qejfin. Më e shtrenjta në fakt mund të jetë një udhëtim në Disneyland. Kjo është edhe më e veçanta për ta. /Telegrafi/