Site icon Telegrafi

Vullnetarët e artistët e festivalit “MuralFest” kanë bërë që Ferizaj të njihet si qyteti i muraleve

Ka përfunduar edicioni i nëntë i festivalit “MuralFest” në Komunën e Ferizajt në të cilin kanë marrë pjesë artist vendor e ndërkombëtar, duke i mbuluar muret e betonit në këtë qytet me piktura e fotografi të ndryshme. Ky edicion kishte temën “Her Spotlight”.

Ky festival që realizohej për çdo vjet, ka shtrirë ndikimin edhe përtej qytetit të Ferizajt, ndërkohë punën më të madhe të tij përveç menaxhmentit e kryejnë edhe vullnetarët që janë të lidhur me artin.

Këta vullnetarë së bashku me artist vendorë e ndërkombëtarë kanë bërë që Ferizaj të njihet si qyteti i muraleve.

Lebime Topalli, drejtoreshë e festivalit “MuralFest”, ka thënë për Telegrafin se edicioni i nëntë ka pasur për qëllim promovimin e gjinisë femërore në fushën e artit.

“Edicioni i këtij viti i nënti me radhë ka pasur temën ‘Her Spotlight’, dhe kanë qenë të ftuara vetëm artiste vajza dhe gra dhe lokale. Qëllimi ka qenë promovimi i artisteve tona lokale dhe gra, si dhe temat që janë trajtuar kanë qenë kryesisht problematikave dhe padrejtësive që po iu bëhen grave. Janë realizuar 9 aktivitete në 9 hapësira publike”, ka thënë Topalli.

Sipas saj, ky festival i këtij viti ka pasur performancë të mirë dhe është pëlqyer edhe nga vetë qytetarët e komunës së Ferizajt dhe më gjerë.

“Ka pas performancë artistike nga grupi ‘Have It’, ekspozitë dhe instalacion nga Arbesa Musa, murale në qytet dhe dy murale në burgun e Lipjanit bashkë me artiste të talentuara të burgosura”, ka shtuar ajo.

Rema Salihu, aktiviste e festivalit “MuralFest” ka thënë se këto aktivitete janë një platformë dhe mundësi artistike për artistët e artit.

“Para se të kyçem në ‘MuralFest’ nuk jam marrë asnjëherë me murale, kurse me piktura vizatime jam marrë. Shkollën e mesme e kam përfunduar në drejtimin e artit figurativ dhe prej klasës së njëmbëdhjetë kam filluar të kyçem në ‘MuralFest’ me të cilin jemi socializuar e gjithë rinia që jemi. Kanë ardhur artistë nga jashtë, na kanë mësuar se si bëhet një mural, si duhet ta punojmë atë dhe pastaj ka filluar edhe dashuria për muralin. Pra, së bashku me vullnetarë, artistë vendorë e ndërkombëtarë kemi bërë që Ferizaj të njihet si qyteti i muraleve”, ka thënë Salihu.

Exit mobile version