Site icon Telegrafi

Vullnetarët amerikanë kremtojnë festën e tyre të pavarësisë me komunitetin në Prizren

Vullnetarët amerikanë të angazhuar në kuadër të projekteve të ndryshme në territorin e Komunës së Prizrenit kanë kremtuar festën e pavarësisë së ShBA-së me komunitetin vendor, në një aktivitet të organizuar nga Këndi Amerikan.

Duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen që kanë gjetur në Kosovë, ata para të rinjve kanë shpalosur detaje interesante nga shtetet e tyre përkatëse.

Ceremonia modeste e shënimit të 248 vjetorit të pavarësisë së ShBA-së ka filluar me hedhjen e topit nga Jennifer Musser nga Seattle dhe kapjen e topit nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.

Më pastaj janë shkëmbyer përvojat lidhur me punën dhe vizitat në Kosovë dhe në ShBA, raporton Telegrafi.

Mësuesi i gjuhës angleze dhe vullnetari i Këndit Amerikan, Tristan Hicks ka bërë të ditur se viti i kaluar në Kosovë ka qenë një përvojë e mahnitshme për të.

“Unë jam nga West Virginia, një shtet i vogël me shumë male, që ka shumë ngjashmëri me Kosovën. Ka sfida dhe si rrjedhojë shumë të rinj ikin. Ata kthehen kur të arrijnë një moshë të caktuar. Kosova dhe West Virginia kanë histori sfiduese por njerëzit që përqendrohen në zhvillim duke dhënë gjithçka nga vetja e përmirësojnë vendin e tyre gradualisht”, ka thënë Hicks, teksa është shprehur i lumtur që ka qenë dëshmitar se si Kosova dita ditës po zhvillohet dhe po rritet.

Ndërkaq vullnetarët nga Korpusi i Paqes, Katie, Kayla, Matt, Winston, Mathew dhe Cloe kanë folur për shtetet e tyre: Texas, Maine, Ohio, California dhe Colorado, raporton Telegrafi.

Drejtoresha e Bibliotekës së qytetit, Sahadete Sadikaj-Kukaj është shprehur mirënjohëse për angazhimin e vullnetarëve amerikanë në programet e ndryshme të Këndit amerikan por edhe në projektet tjera që kontribuojnë në edukimin e të rinjve.

Ndërkaq kryetari i Komunës, Shaqir Totaj duke ndarë përvojat nga qëndrimi në ShBA ka këshilluar të rinjtë që mos të dorëzohen dhe me punë e përkushtim ta kërkojnë suksesin.

“Ky është edhe tregimi ynë, sepse si Kosovë ne kemi vijuar përpjekjet tona, kemi punuar për fatin dhe të ardhmen tonë dhe me ndihmën e ShBA-ve dhe shteteve tjera mike sot jemi një shtet i pavarur”, ka thënë Totaj. Duke uruar vullnetarët amerikanë për festën e pavarësisë, Totaj i ka porositur ata që në Kosovë të ndjehen si në shtëpinë e tyre.

Në kuadër të këtij aktiviteti të rinjtë pjesëmarrës kanë pasur rastin që ti eksplorojnë ShBA-të përmes figurave të krijuara me 3D printer nga Këndi Amerikan në Prizren. /Telegrafi/

Exit mobile version