Telegrafi

Vulin bën thirrje: Detyra e kësaj gjenerate politikanësh është të bashkojë serbët kudo që jetojnë

Detyra e kësaj gjenerate politikanësh është të krijojnë “botën serbe”, të bashkojnë serbët kudo që jetojnë.

Kështu ka thënë Aleksandar Vulin në tubimin për shënimin e 13 vjetorit të Lëvizjes Socialiste, i cili gjithashtu u ndoq nga presidenti i SNS dhe Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Dhe siç ka thënë ai, kjo është e mundur vetëm nëse Serbia është e suksesshme, dhe për ta “ruajtur” këtë, duhet, shtoi ai, të vazhdojë politikën e Aleksandër Vuçiqit.

“… Dhe që ‘bota serbe të shfaqet’, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, e udhëhequr mirë që të ketë një ushtri të aftë të ruajë atë dhe serbët kudo që jetojnë. Për të ruajtur një Serbi të tillë, ne duhet të bëjmë gjithçka për të vazhduar politikën e Aleksandar Vuçiqit. Vetëm kjo është fitorja, vetëm kjo është një garanci e mbijetesës së popullit tonë dhe asgjë tjetër”, i ka thënë Vulin audiencës.

Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se zgjedhjet e ardhshme janë një pikë kthese për të ardhmen e Serbisë dhe shtoi se zgjedhjet do të tregojnë nëse Serbia do të shkojë në të ardhmen apo në të kaluarën. /Telegrafi/