Telegrafi

Vuçiq vishet si çeçen – përsërit frazën se marrëdhëniet ruso-serbe nuk mund të ndikohen nga asnjë presion

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar në Beograd me këshilltarin e udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov dhe gjatë atij takimi ka marrë një dhuratë jo të zakonshme.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, në fillim të bisedës, këshilltari i Kadirovit, Turko Daudov, “përcolli përshëndetjet nga Çeçenia për Presidentin e Serbisë dhe përmes tij, për mbarë popullin serb”.

“Sot është një situatë e vështirë politike në botë… Por, përkundër të gjitha vështirësive dhe presionit të madh që ushtron Evropa, lidershipi dhe populli i Serbisë jo vetëm që nuk e kundërshtuan, por edhe e mbështetën Federatën Ruse”, citohet të ketë thënë këshilltari i Kadyrov, Turko Daudov.

“Në këtë drejtim, Ramzan Kadyrov më kërkoi që personalisht të shpreh respektin tim dhe të përcjell se marrëdhëniet shekullore vëllazërore ndërmjet Rusisë dhe Serbisë kanë treguar edhe një herë fuqinë e tyre”, ka shtuar Turko Daudov.

Pas kësaj, vë në pah mediumi serb, Vuçiq shfrytëzoi rastin “për të falënderuar popullin rus që është një komb vëlla” për serbët.

“Prandaj, marrëdhëniet ruso-serbe nuk mund të shkatërrohen nën asnjë presion”, ka thënë Vuçiq.

Në fund të takimit është realizuar një foto interesante ku Daudov i ka dorëzuar Vuçiqit një një burkë kombëtare dhe një kapelë.

Ndryshe, edhe kjo deklaratë e presidentit Vuçiq vjen pavarësisht thirrjeve të Perëndimit për sanksione ndaj Rusisë. /Telegrafi/