Telegrafi

Vuçiq thotë se do të kërkojë seancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas bisedës që pati dje me të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se Serbia sot është në situatën më të vështirë në 11 vitet e fundit.

Ai bëri të ditur se së shpejti do të kërkojë një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e më pas një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të ndërmerren masa urgjente për ‘mbrojtjen e jetës dhe lirisë së qytetarëve serb’ në veri të Kosovës, transmeton Telegrafi.

Vuçiq tha se Serbia do t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit që KFOR-i të përmbushë detyrimet e veta dhe të parandalojë menjëherë dhe në terren “çdo veprim të mëtejshëm të institucioneve të Kosovës që kërcënojnë jetët dhe lirinë”.

Ai theksoi gjithashtu se do të kërkojë çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura në përputhje me rezolutën 1244.

Siç theksoi ai, në përputhje me përgjigjen do të ketë një pikë të tretë apo jo: “Do të marrim një përgjigje nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili ka për detyrë të mbrojë jetën dhe lirinë e serbëve, qofshin këto forca të KFOR-it apo dikush tjetër”. /Telegrafi/