Site icon Telegrafi

Vuçiq thotë se nuk do të largohet nga Serbia sikurse bëri Assadi i Sirisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar shërbimet e huaja të zbulimit se po përpiqen të rrëzojnë qeverinë e tij, duke theksuar se ai nuk do të largohet nga vendi, ashtu si udhëheqësi i rrëzuar sirian, Bashar al-Assad.

Në një video-adresim në Instagram, ai u shpreh se do të luftojë për Serbinë dhe do t’i shërbejë vetëm popullit serb dhe qytetarëve të tjerë të Serbisë, duke kundërshtuar çdo ndikim të huaj që kërkon të shkatërrojë vendin.

Kundërshtarët e Vuçiqit kanë krahasuar atë me Assadin, duke parashikuar se mund të ikë nga Serbia në rast se humbet kontrollin pas shpërthimit të protestave që pasuan një tragjedi në Novi Sad, ku shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor i mori jetën 15 personave.

Lexo po ashtu Mohamed al Bashir emërohet kryeministër i përkohshëm: Të gjitha zhvillimet e fundit në Siri, MINUTË PAS MINUTE

Protestuesit e lidhën këtë ngjarje me korrupsionin dhe projektet e dobëta infrastrukturore që përfshijnë investime kineze, shkruan nova.rs.

Vuçiqi tha se protestat, të cilat përfshijnë dhe studentë, financohen nga Perëndimi dhe synojnë rrëzimin e tij dhe të qeverisë së tij me “taktika hibride”.

Ai mohoi mundësinë e largimit dhe theksoi se do të shpalosë më shumë detaje për ata që financojnë përpjekjet për të shkatërruar Serbinë.

Në një tjetër zhvillim, parlamenti serb po shqyrton një projektligj që do të krijonte një regjistër të “agjentëve të huaj”, një ligj që ka ngjallur shqetësime për mundësinë e kufizimit të aktiviteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe lirisë së shprehjes.

Serbia, e cila synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, ndërsa Vuçiqi ka refuzuar të mbështesë sanksionet perëndimore ndaj Moskës për shkak të agresionit në Ukrainë. /Telegrafi/

Exit mobile version