Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë të hënën se do të ishte “disi më e lehtë” për Serbinë nëse kandidati republikan dhe presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump do të fitonte zgjedhjet e së martës në SHBA.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në një konferencë për shtyp në Beograd, ai tha se zgjedhjet amerikane mbeten të rëndësishme për Serbinë, në të cilat, pa dyshim, favorit është kandidati demokrat Joe Biden, me të cilin, siç thotë ai, ka marrëdhënie korrekte, por politika e të cilit nuk ishte në favor të Serbisë.
“Kjo politikë nuk do të jetë në favor të Serbisë dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e mira personale, ne duhet ta dimë këtë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Ai deklaroi se nuk mendonte se fitorja e Trump ishte “mjaft reale”, por që nuk ishte e pamundur dhe se do të ishte “diçka më e lehtë” për Serbinë.
“Fitorja e Trump do të ishte, pa dyshim, pak më e lehtë dhe nuk bëhet fjalë për marrëdhënie. Kjo është arsyeja pse unë befasohem nga disa njerëz që thonë: ‘Po sikur të fitojë Biden?’ Epo, nuk jemi të verbër, të shurdhër dhe budalla për të mos parë se çfarë do të ishte diçka më e lehtë dhe më e mirë për ne”, ka thënë më tej Vuçiq. /Telegrafi/