Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka qenë një nga të fundit nga zyrtarët e lartë në Serbi që ka reaguar sot pasi autoritetet në Zagreb ia ia ndaluan atij vizitën në Jasenovac të Kroacisë.
Dhe reagimin e tij presidenti serb e ka bërë përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, përcjell Telegrafi.
“Ju vetëm bëjeni punën tuaj! Populli serb do të jetojë dhe nuk do ta harrojë kurrë”, ka shkruar presidenti serb në Instagram.
Ndryshe, më herët rreth vendimit të autoriteteve kroate ka pasur edhe një reagim nga shefi i diplomacisë serbe, Nikola Selakoviq, i cili ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Ai ka treguar se një notë proteste i është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë.
Gjithashtu, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka thënë sot se fakti që e kanë ndaluar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq të vizitojë privatisht Jasenovacin, është “skandali më i madh në historinë moderne”.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka planifikuar të vizitojë sot privatisht dy vende në Kroaci, por një vizitë e tillë i është mohuar nga autoritetet kroate.
Sipas burimeve të paidentifikuara nga qeveria e Andrej Plenkoviq, shkruajnë mediat kroate, Vuçiq po planifikonte një vizitë private në Jasenovac, domethënë në zonën përkujtimore ku vdiqën shumë serbë në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas mediave, ai një gjë të tillë ka tentuar ta bëjë pa njoftim zyrtar për autoritetet kroate dhe pa koordinim me ambasadën.
Kështu, Qeveria kroate ka deklaruar jozyrtarisht se Vuçiq nuk respektoi asnjë protokoll, se donte të bënte gjithçka jashtë procedurave dhe rregullave të marrëdhënieve diplomatike dhe se donte të kalonte kufirin kroat me ekipet e tij televizive dhe “të bënte çfarë të donte këtu”.
“Por kryeministri Plenkoviq dhe Qeveria thanë qartë jo. Ne jemi një vend i pavarur, anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe ai nuk mund të bëjë çfarë të dojë këtu. Politika e ‘botës gjithëserbe’ nuk do t’i funksionojë në Kroaci”, citohet të ketë thënë burimi. /Telegrafi/