Site icon Telegrafi

Vuçiq priti ish-guvernatorin e Illinoisit – Blagojevich ishte liruar nga burgu pasi e fali Trumpi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti në një vizitë zyrtare Rod Blagojevichin, politikanin amerikan që dikur ishte guvernator i shtetit federal të Illinoisit, por që është më i njohur për dënimin me burg.

Vuçiq e përmendi me krenari vizitën e Blagojevichit, duke e quajtur atë “një nga miqtë më të ngushtë” të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, i cili “e kupton thellësisht Serbinë”.

Mediat e afërta me regjimin e Vuçiqit mbështetën këtë takim, duke e paraqitur si një ngjarje të rëndësishme, por pa përmendur të gjithë historinë e Blagojevichit.

Në vitin 2008, FBI-ja e arrestoi Blagojevichin në shtëpi për akuza korrupsioni. Si guvernator i Illinoisit, ai kishte përgjegjësinë për të emëruar një senator që do të zëvendësonte Barack Obamën, i cili ishte zgjedhur president i SHBA-së.

Megjithatë, Blagojevich vendosi ta shiste këtë post ofertuesit më të lartë, siç u vërtetua nga bisedat e përgjuara, ku ai shprehej hapur për këtë plan, shkruan klix.ba.

“Nuk më ofrojnë asgjë përveç mirënjohjes. Le të shkojnë dreqit. Një vend në Senat vlen shumë”, kishte deklaruar ai.

Gjatë procesit gjyqësor, Blagojevich u përpoq të fajësonte edhe Obamën, por ish-presidenti mohoi çdo përfshirje.

Në vitin 2009, ai u shkarkua nga posti i guvernatorit dhe dy vjet më vonë u dënua me 14 vjet burg për korrupsion të nivelit të lartë. Megjithatë, në vitin 2020, Donald Trump e fali, duke i dhënë lirinë para kohe.

Pavarësisht se dikur ishte pjesë e Partisë Demokratike, pas lirimit, Blagojevich u shndërrua në një mbështetës të zjarrtë të Trumpit dhe ndihmoi republikanët në disa fushata zgjedhore.

Megjithatë, ai nuk ka një rol zyrtar në administratën e Trumpit dhe vizita në Beograd mund të shihet si një udhëtim në vendin e origjinës së familjes së tij, por jo si një vizitë me ndikim të rëndësishëm politik. /Telegrafi/

Exit mobile version