Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në një adresim publik se do t’i dërgojë një kërkesë Qeverisë serbe “për ristrukturimin më urgjent dhe më masiv të mundshëm”.
“Sepse në këto kohë të vështira politike, është bërë e qartë se kush është i gatshëm të punojë dhe të luftojë, kush jo, dhe duke pasur këtë parasysh, pres që më shumë se 50 për qind e ministrave të shkarkohen dhe zëvendësohen në një ristrukturim shumë, shumë urgjent”, ka thënë Vuçiq më 27 janar.
Ai ka theksuar se në tre muajt e fundit, pas aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad – në të cilin kanë vdekur 15 persona – është krijuar një atmosferë që nuk është në të mirë të askujt.
“Në këta tre muaj, ne kemi dëgjuar shumë akuza kundër trupave shtetërore, thirrje për përmbysje të shtetit, kemi dëgjuar deklarata shumë të papërgjegjshme, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ne në pushtet”, ka thënë ai.
Presidenti serb ka treguar se ka biseduar me përfaqësues qeveritarë dhe që ata “kanë deklaruar se kanë dëshirë të dëgjojnë palën tjetër” [studentët që po protestojnë] dhe që dëshirojnë dialog dhe bisedë.
Vuçiq ka thënë se është duke ndodhur publikimi i mëtejmë i dokumentacionit për rindërtim të stacionit hekurudhor në Novi Sad, dhe që, sipas tij, janë përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve që po protestojnë.
“Sot veçse i kemi publikuar disa, dhe publikimi i 925 dokumenteve është në proces e sipër”, ka thënë Vuçiq në një adresim para publikut.
“I kemi ofruar të gjitha. Nuk ekziston asnjë dokument që ka të bëjë me rindërtim të stacionit hekurudhor”, ka shtuar Vuçiq.
Duke folur për kërkesën e studentëve për ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për sulmet ndaj studentëve, Vuçiq ka treguar se kanë nisur procedura penale kundër 37 individëve.
Sa i përket përfshirjes së zyrtarëve qeveritarë në sulme, Vuçiq thotë se “ekziston vetëm një rast në Beogradin e ri” dhe që beson se “tashmë është zgjidhur”.
Vuçiq, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e parlamentit Ana Brnabiq, i janë adresuar publikut në ditën kur studentët kanë organizuar bllokadë 24-orëshe në njërën prej pikave kryesore të trafikut në Beograd. /REL/