Telegrafi

Vuçiq frikësohet se sulmi në Moskë mund të përsëritet në Serbi: E di pse e kam thirrur takimin urgjent të Këshillit të Sigurisë

Aleksandar Vuçiq ka reaguar për herë të parë pas të shtënave masive në Moskë.

Ai bëri të ditur se shërbimet serbe të sigurisë do të intensifikojnë punën e tyre për shkak të këtij sulmi dhe se do të “sigurojnë veçanërisht stadiumet dhe qendrat tregtare”.

Lexo po ashtu Pas të shtënave masive, digjet salla e koncerteve në Moskë - ambasada amerikane kishte paralajmëruar për sulm nga ekstremistët

Presidenti serb tha se “ka disa arsye” pse është thirrur nesër seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe me atë rast ka shtuar se sulmi në Moskë “nuk është arsyeja e vetme për këtë seancë”.

“Është e rëndësishme që të gjithë të marrim masa dhe BIA jonë të jetë gati. Është e rëndësishme të forcojmë punën e shërbimeve tona, për të siguruar veçanërisht stadiumet dhe qendrat tona tregtare”, tha Vuçiq dhe shtoi se “është e nevojshme të mbrohet popullata jonë”.

Ai gjithashtu theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e sigurisë duhet të bashkëpunojnë, raporton nova.rs.

Lexo po ashtu Të shtëna masive në sallën më të madhe të koncerteve në Moskë, raportohet për viktima dhe të plagosur

Vuçiq i ka shprehur ngushëllimet popullit rus gjersa shtoi se “nuk ka dyshim se ne po i afrohemi një konflikti të madh botëror që do të ketë pasoja të pakapshme”.

Kujtojmë se të paktën 40 persona mbetën të vrarë dhe 100 të plagosur nga të shtënat masive që ndodhën në sallën e koncerteve Crocus City pranë Moskës.

Një numër i madh forcash policore, zjarrfikëse dhe mjekësore janë ende në terren dhe nuk dihet ende numri i saktë i të vdekurve dhe të plagosurve. /Telegrafi/