Telegrafi

Vuçiq bisedon me Scholz, tregon për “ankesat për Kosovën” që i bëri te kancelari gjerman

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka biseduar në telefon me kancelarin federal të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Biseda e tyre, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, ka qenë për situatën në Kosovë, si dhe për siç thuhet më tej, “vendin dhe rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe rrugën evropiane dhe bashkëpunimin shumë të suksesshëm ekonomik me Gjermaninë”.

“Kam informuar në detaje kancelarin Scholz për situatën pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në Kosovë, si dhe për shmangien e vazhdueshme të Prishtinës për të përmbushur obligimet e pranuara dhe të nënshkruara, veçanërisht në lidhje me formimin e ASK-së”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë në Instagram.

Vuçiq ka shtuar se ka shkëmbyer mendime me kancelarin gjerman edhe “për të gjitha çështjet delikate në kontekstin e ngjarjeve aktuale globale, veçanërisht për vendin dhe rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe për rrugën evropiane të vendit”.

Lidhur me këtë bisedë ndërmjet tyre ka shkruar edhe Zyra e Kancelarit gjerman.

Sipas një njoftimi, kancelari Federal Olaf Scholz ka biseduar sot në telefon me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Siç thuhet më tej, ata shkëmbyen mendime për statusin e marrëdhënieve dypalëshe dhe nënvizuan interesin e tyre të përbashkët për bashkëpunim konstruktiv dhe të orientuar drejt rezultateve.

“Kancelari theksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për të. Ai gjithashtu sqaroi angazhimet e Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”.

“Kancelari Federal dhe Presidenti serb ranë dakord të vazhdojnë shkëmbimin e tyre të hapur dhe të qëndrojnë në kontakt”, thuhet më tej në njoftimin e Zyrës së Kancelarit Scholz. /Telegrafi/