Telegrafi

Vuajtjet e emigrantëve në botë si dhe të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri emocionojnë publikun në “Prizren Fest”

Shfaqjet që paraqesin vuajtjet e emigrantëve në përpjekjen për të gjetur jetesë më të mirë, sikurse edhe historitë e trishta të kampeve të internimit të regjimit komunist në Shqipëri janë paraqitur në vazhdën e programit të edicionit të tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “Prizren Fest”.

Dy dramat tragjike të prezantuara në skenën e Katedrales së Zonjës Ndihmëtare në Prizren kanë shpalosur dhimbjet e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, por edhe të viktimave të kampit të internimit në Tepelenë të Shqipërisë, raporton Telegrafi.

Drama “The Child” (“Fëmija”) nga Irani duke qenë i frymëzuar nga çështje sociale dhe reale, kryesisht të lidhura me emigracionin e njerëzve të cenueshëm, të vuajtur nga lufta dhe varfëria, shpalos një problem me të cilin bota po përballet prej kohësh.

“Kjo temë u paraqit përmes paraqitjes së grave dhe fëmijëve të vuajtur nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët strehohen në Amerikë dhe Evropë. Një shfaqje. që synon të përcjellë mesazhin e paqes dhe barazisë së të gjithë njerëzve në tokë”, thuhet në njoftimin e Prizren Fest.

Po kaq emocionuese ka qenë edhe shfaqja “Lule Sajza” nga Shqipëria, që sipas njoftimit të Prizren Fest, është një teatër dokumentar i cili paraqet historitë e të vërtetat e përjetimeve të kampit të Tepelenës, raporton Telegrafi.

“Një shfaqje që flet për dhimbjet e vërteta shqiptare. Faktet tronditëse dhe historitë e dhimbshme, rrëqethëse, në kufi me të pabesueshmen hedhin dritë mbi të shkuarën tonë të errët dhe na ftojnë që përmes vuajtjeve të së shkuarës të njohim më mirë veten, tjetrin dhe të ardhmen tonë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq publiku i pranishëm është emocionuar edhe më shumë kur në fund të shfaqjes është paraqitur edhe vet Simon Mirakaj, i cili kishte përjetuar vet tmerrin e kampit të Tepelenës, duke treguar vuajtjet personale nga kjo përvojë e hidhur.

Edicioni i tretë i Prizren Fest vazhdon me programin e shfaqjeve deri më 28 korrik. /Telegrafi/