Site icon Telegrafi

Vritet prokurori që ishte bërë makth për botën e krimit në Paraguai

Një prokuror publik paraguaian, i cili udhëhoqi një sërë çështjesh të profilit të lartë kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, është qëlluar për vdekje teksa ishte në muajin e mjaltit në një plazh kolumbian.

Marcelo Pecci u martua më 30 prill me Claudia Aguileran, një gazetare e njohur gjersa po kalonin muajin e mjaltit në një hotel në gadishullin Baru në bregun e Karaibeve të Kolumbisë.

Dy sulmuesit arritën me “jetski” në plazhin privat të hotelit, sipas Aguileras, e cila nuk u lëndua gjatë sulmit. Njëri prej tyre u afrua dhe, siç kujton ajo, “pa thënë asnjë fjalë qëlloi dy herë Marcelon, një herë në fytyrë dhe një herë në shpinë”, raporton theguardian.

Disa orë para sulmit, Aguilera kishte publikuar lajmin e shtatzënisë së saj në rrjetet sociale. “Perëndimi i fundit i diellit në Baru, por ne do të kemi miliona të tjerë së bashku”, shkroi ajo.

Vrasja shkaktoi tronditje në Paraguai – i cili kohët e fundit po përballet me një numër të madh të vrasjeve me pagesë të lidhura me fuqinë në rritje të krimit të organizuar – dhe në Kolumbi,  shumëkush po parashikon një rikthim të momenteve më të errëta të historisë së vendit, kur bosët e drogës, si Pablo Escobar, urdhëronte vrasjen e zyrtarëve publikë.

Ndryshe, 45 vjeçari kishte punuar në disa raste të profilit të lartë të vrasjeve me pagesë në Paraguai.

Ai drejtoi veçanërisht një hetim për vrasjen e një trafikanti droge, Marcos Rojas Mora, i cili u vra në një festival muzikor në qytetin e San Bernardino në muajin janar të këtij viti. /Telegrafi/

Exit mobile version