Telegrafi

Vritet kryebashkiakja më e re e një qyteti në Ekuador

Kryebashkiakja më e ri e Ekuadorit, Brigitte Garcia (27) dhe një punonjës i qytetit u gjetën të vrarë në një veturë herët në mëngjes dje, tha policia ekuadoriane.

Autoritetet e atij vendi të Amerikës së Jugut fajësojnë për valën e dhunës në vend “që është bëtë vatër” e tregtisë me drogën, shkruan Reuters.

Policia tha se po heton vdekjen e kryebashkiakes 27-vjeçare të San Vicente dhe Jair Loor, drejtorit të saj të komunikimit, pasi trupat e tyre u zbuluan në provincën Manabi. Të dy u qëlluan për vdekje tha policia, transmeton Telegrafi.

Më vonë dje, policia tha se të shtënat erdhën nga një veturë e marrë me qira, dhe se ata po gjurmonin sistemin GPS të automjetit. Garcia ishte në partinë Lëvizja e Revolucionit Civil të ish-presidentit Rafael Correa.

Correa dhe Luisa Gonzalez, kandidatja presidenciale e partisë në zgjedhjet e fundit, e quajtën vrasjen e Garcias një atentat.

“Sapo mora vesh se vranë kolegen tonë, kryebashkiaken e San Vicentes, Brigitte Garcia”, tha Gonzales në X.

Garcia është figura e fundit politike në Ekuador që është vrarë që nga vrasja e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio gushtin e kaluar.

Villavicencio, kritik i zëshëm i korrupsionit dhe krimit të organizuar, u vra gjatë fushatës dy javë para zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në janar për shkak të rritjes së dhunës, pasi persona të armatosur sulmuan një stacion televiziv gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Noboa përcaktoi gjithashtu 22 grupe kriminale si organizata terroriste. /Telegrafi/