Shtatë pjesëtarë të shërbimit të Azerbajxhanit u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në përleshjet me Armeninë në kufirin midis dy vendeve ish-sovjetike, tha të mërkurën ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.
Zyrtarët armenë raportuan një viktimë dhe thanë se 13 nga trupat e tyre u kapën gjatë veprimeve ushtarake të së martës, derisa 24 të tjerë janë zhdukur, raporton AP News, përcjell Telegrafi.
Përleshjet e fundit duket të jenë shpërthimi më i keq i armiqësive midis dy vendeve që nga një luftë gjashtë-javore e vitit të kaluar mbi rajonin e Nagorno-Karabakut ku mbetën të vrarë rreth 6,600 njerëz.
Ministria armene e Mbrojtjes akuzoi ushtrinë e Azerbajxhanit se hapi zjarr ndaj pozicioneve armene. Në anën tjetër, qeveria e Azerbajxhanit akuzoi Armeninë për një “provokim në shkallë të gjerë” në kufi.
Luftime pushuan të martën në mbrëmje pasi ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, foli në telefon me homologët e tij armenë dhe azerbajxhanas dhe iu kërkoi atyre të ndalonin. Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, foli edhe me presidentin rus Vladimir Putin për situatën në kufi. /Telegrafi/